Google ADS

Kyle Scott: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të rifillojë, konflikti i ngrirë nuk sjell stabilitet

12:06 | 8 Qershor 2019
Arbresh.info

Ambasadori i SHBA në Serbi, Kyle Scott, duke folur lidhur me çështjen e Kosovës, ka thënë se duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, sepse konflikti i ngrirë nuk është një opsion që sjell stabilitet.

“Jam i sigurt se një opsion i tillë nuk sjell stabilitet. Nuk e duam një gjendje të tillë afatgjatë. Me marrëveshjen e Brukselit Serbia është obliguar që të angazhohet në përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim, sikurse edhe Kosova. Ky duhet të jetë qëllimi i të dy palëve, dhe kjo sigurisht është qëllimi ynë”, tha Scott për “Danas”, përcjell telegrafi.

Ai tha se SHBA-të mbështesin negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe dëshirojnë të gjendet një mënyrë që të gjitha palët përsëri të kthehen në tavolinë.

“Tani kemi një lloj tjetër të konfliktit të ngrirë, në të cilin në fakt është ngrirë procesi i negociatave. Dhe asgjë nuk po ndodh në aspektin e arritjes së një marrëveshjeje”, tha ambasadori amerikan.

Ai tha se SHBA-të që nga fillimi kanë qenë shumë të qarta në qëndrimin e saj se tarifat doganore nuk janë të dobishme dhe janë një pengesë për kthim në tavolinën e bisedimeve dhe se ajo duhet të hiqet.

“Taksa doganore tregon vështirësitë e përparimit në gjendjen e mosbesimit të ndërsjellë midis palëve në konflikt. Ndërsa përpjekje që përgjegjësia për pamundësinë e arritjes së marrëveshjes të bartet në Berlin, Paris, Moskë, Bruksel, Uashington apo Pekin, sa i përket kësaj, nuk është një qasje adekuate”, tha ai

“E vetmja zgjidhje e qëndrueshme duhet të jetë lokale, e bazuar në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është kthimi në bisedime”, tha Scott.

Ai shtoi se taksa doganore është një pengesë, “por ka shumë pengesa për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme