Kuvendi në situatë paradoksale, pa kuorum shkaku i opozitës dhe pozitës

19:52 | 23 Tetor 2018
V. S.

Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti ka arritur ta përfundojë në tërësi vetëm një seancë plenare.

Legjislativi aktual nuk po mund të jetë funksional sidomos për shkak të mungesës së kuorumit, i cili nuk po sigurohet si për shkak të mungesës së opozitës edhe për mungesë të deputetëve të pozitës. Dhe, ky është shkaktari i një numri të vogël të projektligjeve të kaluara.

Të enjten e javës së kaluar, si rrallëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës u treguan unanimë, kur votuan tri Projektligjet për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq të nesërmen, me 19 tetor, në vazhdimin e seancës, në Kuvend disa projektligje u diskutuan me numër minimal të deputetëve pjesëmarrës.

Gazetari Agron Halitaj, i cili përcjell punën e Kuvendit, ka thënë për KALLXO.com se gjendja aktuale në Kuvendin e Kosovës mund të përshkruhet si paradoksale.

“Askund në sistemet parlamentare nuk ndodh që funksionimi i Kuvendit të vihet në krizë për shkak të bojkotit të atyre që formalisht e përbëjnë shumicën parlamentare. Parimisht, opozita si pakicë, mund të bëhet shkaktare për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, apo të ndonjë vendimi që kërkon votat e 2/3 të numrit të përgjithshëm të deputetëve, por në asnjë variant nuk mund të bëhet pengesë për rrjedhën e punës në Kuvend”, tha Halitaj.

Sipas tij, e keqja është se në Kosovë ka kohë që janë krijuar tri blloqe të cilat e pamundësojnë të bërit shumicë në Kuvend.

“Në njërën anë është koalicioni i shumicës së partive që bashkëqeverisin, në tjetrën anë është opozita, dhe në mes tyre është Lista Serbe e cila paraqitet si oponencë e të dyja blloqeve”, shtoi ai për KALLXO.com.

Halitaj vlerëson se përgjegjësia për mosfunksionimin e Kuvendit rëndon mbi partitë e koalicionit qeverisës.

“Nëse opozita zgjedh bojkotin, ajo mban përgjegjësi para elektoratit të saj, gjë që nuk është njësoj edhe për partitë që qeverisin. Ato kanë përgjegjësi për t’i çuar përpara proceset shtetërore. Andaj në momentin kur ato nuk janë në gjendje t’i kalojnë në Kuvend projektet e veta, duhet të ngrenë mocion votëbesimi ndaj Qeverisë dhe të kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit”, thotë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë vi ka nisur bojkotimin e seancave të Kuvendit, ndërsa partitë opozitare në sesionin vjeshtor po kërkojnë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa LDK-ja ka filluar përgatitjen e një mocioni për rrëzimin e Qeverisë dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lidhur me këtë, sipas gazetarit Halitaj, as ftesa për seancë të jashtëzakonshme nuk pritet ta ndryshojë gjendjen në Kuvend.

“Tash për tash nuk shihet ndonjë gatishmëri për unifikim të partive parlamentare, por energjitë janë orientuar kah zgjedhjet e parakohshme. Në këtë frymë, as ftesa për seancë të jashtëzakonshme e iniciuar nga opozita, nuk pritet të ndryshojnë kahun negativ që ka marrë Kuvendi”, thotë ai.

Ndërkaq, edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konference për media javën e  kaluar ka kritikuar punën e Kuvendit.

Artan Murati nga KDI ka theksuar se më shumë se një vit nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë, Kuvendi nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë adekuate dhe vazhdimisht është përballur me kriza të ndryshme.

“Me fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit është intensifikuar edhe bllokada e punës në Kuvend, duke paralizuar kështu jetën parlamentare. Nga të gjitha seancat e mbajtura këtë sesion, vetëm një ka arritur të përfundojë në ditën kur ka filluar”, ka thënë Murati.

Ai shtoi se mungesa e deputetëve nga shumica parlamentare është një nga problemet kryesore të kësaj legjislature.

“Nëse subjektet opozitare janë duke ushtruar të drejtën e tyre për bojkotim të Kuvendit, koalicioni qeverisës duhet të mobilizohet për të siguruar numrat e mjaftueshëm mbarëvajtjen e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare”, ka shtuar ai.

Sa i përket rolit të opozitës, Murati ka nënvizuar se deri më tani, grupet parlamentare opozitare nuk kanë pasur një strategji të përbashkët, qoftë për bojkotim të punës së Kuvendit apo për zgjedhje të reja.

“Kjo qasje e pakoordinuar ka qenë joproduktive dhe nuk ka arritur të sjellë rezultatet e pritshme për opozitën. Ndonëse subjektet opozitare nuk e kanë obligim t’ua bëjnë numrat subjekteve në pushtet, megjithatë konstruktiviteti për të mirën e përgjithshme është më se i nevojshëm”, shtoi Murati.

Sipas Muratit opozita ka qenë shumë aktive gjatë sesionit pranveror me interpelanca dhe pyetje parlamentare mirëpo këto mekanizma sipas tij, nuk janë përdorur sa duhet në sesionin vjeshtor./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme