Ish-Kryetarja e Gjakovës ka vendosur të matet në vota pa hyrë në koalicione parazgjedhore. Mimoza Kusari ka thënë se kanë refuzuar ofertat e partive në pushtet.
Mimoza Kusari ka vendosur të mos i hyjë garës për t’u bërë deputete me ndonjërën prej partive të mëdha politike në Kosovë qysh kishte ndodhur herëve tjera.
Tash, ajo s’ka pranuar të hyjë as me Lëvizjen Vetëvendosje pasi Albin Kurti i ka kërkuar të bëhet pjesë e listës së partisë së tij dhe të mos figurojë askund emri i Alternativës.
Do të shkojë pa koalicione, pasi Alternativa dhe Vetëvendosje dështuan të bënin koalicion. Ndërsa, Mimoza Kusari e kontaktuar nga Express thotë se refuzoi të gjitha ofertat e partive në pushtet për të shkuar bashkë në zgjedhje.
“Ofertë kemi pasur (nga LVV’ja) për të hyrë në listë” tregoi Kusari.
E që pikërisht kjo ofertë ishte mollë sherri pse Kusari e Kurti nuk i bashkuan forcat. Për Mimoza Kusari-Lilën, është e papranueshme që të jetë në listën e një partie tjetër, ndërsa logoja e partisë së saj të mos figurojë në fletëvotim.
“Për atë arsye nuk kemi pranuar pa llogo të Alternativës”, shtoi ajo.
Kusari tutje konfirmoi se Vetëvendosja i kishte bërë një ofertë të tillë. Partia e Kurtit i kishte thënë Kusari-Lilës që ajo mund të garojë si deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, por se nuk e kishte pranuar.
Kusari ka treguar gjithashtu se asaj i janë bërë oferta për koalicion edhe nga partitë të cilat kanë qenë në pushtet. Madje disa parti nga pushteti asaj i kishin ofruar që emri i partisë Alternativa, do të figuronte si pjesë e koalicionit. Por për Kusari-Lilën, siç duket ka qenë e papranueshme që të jetë në koalicion me njërën nga partitë që ka qenë pjesë e pushtetit.
“Ne kemi pasur edhe ofertë prej partive tjera për të bërë koalicion madje edhe prej disa partive që janë në pushtet”, tha ajo.
E siç duket, për Kusari-Lilën ka qenë e papranueshme që një parti opozitare ta vendosë në listë pa ia përmendur emrin e partisë, e në të njëjtën kohë e papranueshme që emri i partisë së saj të përmendet me partitë që kanë qenë në qeveri.
Por cila do të jetë e ardhmja e Alternativës? Kryetarja e saj e ka konfirmuar se tashmë Alternativa do të vazhdojë e vetme dhe do t’i hyjë garës zgjedhore vetëm pa ndonjë koalicion e me një listë plot 120 emra, që të gjithë këta, nën llogon ‘Alternativa’.
“Alternativa garon e vetme”, e konfirmoi shkurt Kusari.
Tashmë Ilir Deda, i cili ika qenë edhe deputet nga radhët e kësaj partie dhe njëri ndër themeluesit, nuk është pjesë e partisë, e as që e ka në mendje që të garojë për deputet. Ilir Deda dhe Mimoza Kusari e themeluan partinë Alternativa, e që më pas hynë në një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mimoza Kusari është aktive në politikë prej pasluftës. Ka qenë Zëdhënëse e Qeverisë së Bajram Rexhepit. Pastaj Zëvendëspresidente e AKR’së. Ka mbajtur pozitën e Zëvendëskryeministres në Qeverinë e udhëhequr prej Hashim Thaçit. Ka pasur edhe pozitën e Ministres së Tregtisë dhe Industrisë. Për një mandat ka udhëhequr Komunën e Gjakovës. Pastaj ka hyrë në Parlament përmes koalicionit me LDK’në./gazetaexpress
Berisha i drejtohet shqiptarëve në Londër: Keni rol përcaktu...
Anglia merr fitore të thellë ndaj Irlandës dhe rikthehet në ...
Kurti: Doracakët asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë e as teks...
‘Termokos’: 17.500 konsumatorë me pajisje matëse për ngrohje
Eksperti gjerman bën një propozim radikal: Burrat patentë-sh...
Scholz mbron bisedën telefonike me Putinin