Kurti: As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës

10:32 | 20 Shkurt 2019
Arbresh.info

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka mbajtur një konferencë me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë krerë të pozitës dhe opozitës si dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i Norvegjisë.

Kreu i LVV, Albin Kurti ka thënë se janë 33 marrëveshje deri më tani që janë nënshkruar nga Kosova.

“Viti 2018 ka qenë një vit i asaj që nuk ka ndodhur. Korrigjimi i kufijve së pari nuk ndodhi korrigjimi me Malin e Zi dhe as me Serbinë. E para është keq që s’ka ndodhur kufiri me Malin e Zi sepse na kanë mbetur 8200 hektar, por është mirë që s’u bë korrigjimi me Serbinë. Lë të mos shtiremi që s’kemi një marrëveshje me Serbinë. 33 marrëveshje janë nënshkruar deri më tani në këtë dialog. Duhet që të bëhemi bashkë në Kuvend dhe ti trajtojmë këto marrëveshje. Sa është shkalla e tyre e ndikimit në Kosovë. Ai raport duhet të sillet në seancë, nuk mund të ecim përpara pa e ditur ku jemi”, ka thënë Kurti, raporton arbresh.info.

Sipas tij ato marrëveshje nuk ia kanë ndryshuar mendjen 5 shteteve që nuk e njohin Kosovën

“Nuk është mirë të magjepsemi për një marrëveshje që nuk ekziston kur i kemi 33. Ne e dimë se çka do Serbia. Dëshiron delimitim me shqiptarët e Kosovës për të vazhduar me kroatët, çka duam ne, a e kemi të qartë. Në Kosovë 5 liderë politikë i kanë 6 mendime. Në kuvend dhe në tryeza si kjo të diskutojmë që qëllimet tona ti shndërrojmë si kërkesa ndaj Serbisë dhe për këtë mund të arrijë sukses”, ka thënë ai duke shtuar se duhet bërë një dokument për Serbinë.

“Ta bëjmë një dokument me kërkesat tona për Serbinë si borxhli i yni dhe ia dorëzojmë Daçiqit. Këtu pajtohemi për kërkesat. Por kur e kemi shtetin për tokë konsensusi është i paarritshëm. Drejtësia, ekonomia, arsimi, shëndetësia duhet të forcohen, sepse në Serbi nuk shkoj si parti politike por si shtet. Po ashtu serbëve të Kosovës duhet t’u japim përparësi më shumë se Beogradit. Me Nenad Rashiqin duhet të takohemi 5 here e më Vuçiqin 1 herë. Kur vritet një serb në Kosovë për herë të parë në histori nuk ndodhi që pas vrasjes së Ivanoviqit të mos drejtohet gishti nga Kosova. Ata e dinë që dyshimet janë nga Beogradi dhe duhet t’i ndjekim këto dinamika”, tha ai.

Kurti ka thënë se askush nuk ka të drejtë të falë tokë të Kosovës.

“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më të gjallët”, shtoi ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme