Google ADS

“Kurthi” i Vuçiqit për bisedimet me Kosovën

09:10 | 27 Nëntor 2018
arbresh.info

Në një konferencë për mediat, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i ka bërë thirrje Kosovës të ulen në bisedime për të arritur një marrëveshje kompromisi.

Kjo thirrje e Vuçiq vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që taksa të rritet 100% për produktet Serbe.

E  njohësit e rrethanave politike thirrjen e Presidentit serb e vlerësojnë si një lojë kurthe pasi qëllimin e ka vetëm tek taksa. Ata thonë se Kosova nuk duhet kurrsesi ta pranoj ketë ftes, përderisa Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani, përfshirë marrëveshjen e mos pengimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në një prononcim për arbresh.info njohësi i rrethanave politike në vend Adrian Çollaku, ka thënë se Kosova duhet të jetë e vendosur në qëndrimet e saj, në raport të bisedimeve me Serbinë.

“Kjo thirrje e Vuçiq-it vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të rriten taksat për 100% për produktet serbe. Kosova duhet të ulet për kompromise, kur fillimisht Serbia zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani, përfshirë edhe marrëveshjen për mos pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Derisa Serbia në njërën anë ka ndërmarrë një fushatë agresive kundër shtetit të Kosovës, cila është logjika e kësaj thirrjeje të, Vuçiq-it dhe cila është logjika që përfaqësuesit kosovar të ulen në bisedime pa kushte. Kosova duhet të jetë e vendosur në qëndrimet e saja në raport me bisedimet me Serbinë, e sidomos duhet të ketë një platformë konkrete në këto bisedime Vuçiq-it nuk duhet t’i besohet për asgjë”, ka deklaruar ai.

Sipas Analisti Faik Krasniqi, thirrja nga Vuçiq është lojë kurthe, që para bashkësisë ndërkombëtare të tregohet lider i kompromisit.

“Thirrja që i ka bërë Kosovës gjoja për një marrëveshje kompromisi, është lojë kurthe nga ana e tij, në mënyre që para bashkësisë ndërkombëtare të tregohet si një lider i moderuar dhe i kompromisit. Ai e ka hallin e taksës së vendosur ndaj Serbisë, dhe jo rreth një marrëveshje kompromisi. Kosova kurrsesi nuk guxon të pranojë ketë ftese, e aq me pak ta rinise dialogun me Serbinë, pa i zbatuar ajo të gjitha marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën,” ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, për vazhdimin e dialogut me Serbinë ky kusht duhet të vlejë edhe për BE-në që sa më parë t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës.

“Një nga ato marrëveshje është edhe mos pengimi nga ana e Serbisë që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, që është thelbësore dhe jetike që shteti ynë të funksionojë normalisht. Nëse Serbia nuk vepron kështu, atëherë s’ka as heqje të taksës dhe asnjë marrëveshje kompromisi. Për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ky kusht duhet të vlejë edhe për BE-në, qe sa me pare t’i heq vizat për qytetaret e Kosovës. Kjo është karta jone qe mund ta përdorim për heqjen e vizave, sepse është e padrejte qe qytetaret e Kosovës të ngelin të izoluar për shkak të politikaneve të korruptuar”, ka thënë ai.

Analisti, Donik Sallova ka vlerësuar se Kosova nuk ka nevojë për kompromise të Serbisë.

“Serbia duhet te reflektoj, d.m.th. të heqë pengesat që i ka vënë Kosovës në shumë aspekte, si shpërfaqje e vullnetit për kompromise. Përndryshe aktualisht Kosova nuk ka nevoje për kurrfarë kompromise të Serbisë”, ka thënë Sallova për arbresh.info.

Kujtojmë se ditë më parë Qeveria e Kosovës rriti taksën doganore prej 100% për produktet serbe ky vendim është marrë për të mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të vendit, pasi Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në të gjitha iniciativat ndërkombëtare.

Kosova importon rreth 400 milionë euro në vit mallra nga Serbia dhe një masë e tillë ka kosto të mëdha për bizneset serbe. /A.Zeka /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme