Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Migjen Shalën, me të cilët ka diskutuar për verifikimin e listave të veteranëve.
I pari i shtetit ka thënë se përfaqësuesit e veteranëve i kanë kërkuar që procesi i verifikimit të kthehet në pikën zero, shkruan Indeksonline.
Detaje tjera për këtë kërkesë ka dhënë për Indeksonline, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, sipas së cilit një gjë e tillë duhet të ndodh sa më shpejt.
“Ne kërkuam nga Presidenti që të përdor autoritetin e tij dhe që sa më shpejt të kthehet rezultati në pikën zero për verifikimin e veteranëve. Ndikimi do të jetë shumë i madh nëse bëhet një gjë e tillë, kështu që ne kërkuam nga Thaçi të procedohet edhe amnistia duke u bërë verifikimi i të gjithëve që janë në lista”, ka thënë Gucati.
Sipas tij, verifikimi i listave nuk do të merrte shumë kohë që të bëhej, nëse do të shkohej sipas modelit që ka përdorur Kroacia.
“Kjo gjë nuk do të merrte shumë kohë sepse jemi duke shkuar me një afat të shkurtër, pasi kemi marr një modalitet të Kroacisë e atje ka përfundua shumë shpejt, e te ne do të përfundonte më shpejt se në Kroaci sepse është numri më i vogël. Kroacia ka numër shumë më të madh veteranësh, mbi 500 mijë, kurse në Kosovë shumë më i vogël”, ka theksuar Gucati.
Ai ka falënderuar presidentin, për të cilin ka thënë se e ka marr shumë seriozisht iniciativën e veteranëve dhe u ka dhënë mbështetje e përkrahje të madhe.
“Ne nuk do të kërkojmë vetëm ndihmën e Presidentit, por edhe të kryetarit të parlamentit dhe kryeministrit, derisa besojmë se do të gjejmë përkrahje edhe te ata”, ka përfunduar Gucati.
Kurse, Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një prononcim për Indeksonline ka vlerësuar se të gjithë janë dëshmitarë që procesi i verifikimit ka shkuar keq, ka pasur manipulime si dhe fryrje të listave të veteranëve.
“Për këto parregullsi dhe për fryrjet e listave, ne kemi qenë më të zëshmit duke i kundërshtuar këto lista, dhe duke kërkuar auditim të pavarur dhe hetim të gjithë këtij procesi, tashmë në këta muajt të fundit ka reagime për fryrjen e këtyre listave , duke u nisur nga komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, po ashtu edhe shumë anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, ditëve të fundit kemi reagime dhe deklarime të shpeshta edhe nga presidenti, z. Thaçi i cili po deklarohet njëjtë me komandantin e përgjithshëm, Sylejman Selimi, dhe anëtarët e shtabit të përgjithshëm, pra të gjithë po e japin një shifër të përafërt se Ushtria Çlirimtare e Kosovës në radhët e veta i ka pasur rreth 15000 luftëtarë, një shifër që është reale”, ka theksuar Qeriqi.
Sipas tij, Komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve ka nxjerrë një shifër prej 60,000 veteranëve, e cila është shumë e lartë me realitetin.
Qeriqi ka shtuar se ky komision e ka degraduar këtë proces duke e dëmtuar imazhin e luftëtarëve të vërtet, dhe në anën tjetër i ka shkaktuar dëme milionëshe buxhetit të shtetit dhe në fund të amnistohen do të ishte shumë gabim.
“Arsyeja tjetër është se në rast të amnestimit të mundshëm dhe kthimit në pikën zero të gjithë procesit, për të rifilluar nga zeroja, jo vetëm që do të merrte shumë kohë, por dëmet do të jenë edhe më të mëdha, edhe për ne si veteran, por edhe për gjithë shoqërinë e këtij vendit. Nëse ndodh një amnestim i mundshëm të njëjtit që keqpërdorën këtë proces, prapë do ta bëjnë një gjë të tillë, droja ime është se ky numër do të dyfishohej dhe kostoja që do ta paguaj kjo shoqëri veç sa do të rritet”, ka thënë tutje Qeriqi.
Ai ka theksuar se secili që ka keqpërdor, nga ky proces duhet të dal para organeve të drejtësisë dhe ta marrë dënimin e merituar.
“Organet e drejtësisë duhet ti kenë duart e lira dhe ta hetojnë secilin që ka keqpërdorur dhe ta vendosin para institucionit të drejtësisë. Krejt në fund mos të harrojmë se ky proces ka filluar para 5 viteve dhe ende nuk është përmbyllur”, ka përfunduar Qeriqi. /Indeksonline/
Modric hynë në histori të Real Madridit, bëhet lojtari më i ...
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...