Google ADS

Kryetari i OEK-ut ende pa qëndrim rreth deklaratës së Thaçit për heqjen e taksës

15:25 | 7 Janar 2019
V. S.

I pari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, i cili është i thirrur që t`i mbrojë interesat e bizneseve në vend, nuk është deklaruar lidhur me qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për gatishmërinë e heqjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Rukiqi ka thënë se nuk e ka analizuar deklaratën e presidentit Thaçi me arsyetimin se është në pushim, ndërsa ka kërkuar të kontaktohet pas 10 minutash.

“Me të thënë të drejtën s’e kam analizuar shumë, sepse në pushim e s’jam marr fort me atë punë. Thirrëm për nja 10 minuta”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar që ta kontaktojë sërish Rukiqin, por i njëjti nuk ju është përgjigjur thirrjeve përmes telefonit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të dielën ka deklaruar se Kosova është gati që ta shqyrtojë heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Presidenti përmes Facebook-ut, ka sqaruar se këtë deklaratë e ka dhënë për gazetën amerikane “The Uashington Post”, pasi që sipas tij taksa mund të hiqet, “nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

Veprimi i presidentit ka nxitur reagime të shumta në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme