Kryetari Bahtiri priti në takim kryetarin e komunës së Linzit të Austrisë, Klaus Luger

19:20 | 1 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim kryetarin e komunës së Linzit të Austrisë, Klaus Luger, dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët bisedoi për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik.

Fillimisht kryetari Bahtiri e falënderoi kryetarin Luger për vizitën dhe interesimin e tij për gjendjen e përgjithshme të komunës tonë.

Në vazhdim kryetari Bahtiri tha se Komuna e Mitrovicës ka qenë një komunë me shumë probleme të pazgjidhura dhe tensione të vazhdueshme, para se ai të zgjidhej kryetar i saj pesë vite më parë.

“Mirëpo, që nga dita e parë kur jam zgjidhur kryetar para pesë vitesh, jam angazhuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për ndryshimin e gjendjes për të mirë. Kam bashkëpunuar ngushtë me të gjithë faktorët e rëndësishëm, lokal dhe në nivelin qendror, si dhe me organizatat e pranishme këtu ndërkombëtare dhe falë këtij bashkëpunimi, Mitrovica sot është një qytet normal, pa barrikada, pa tensione dhe me rënie të vazhdueshme të krimit e kontrabandës”, tha kryetari Bahtiri.

Ai po ashtu, tha se edhe raportet ndëretnike në qytetin e Mitrovicës janë përmirësuar dukshëm dhe bashkëpunim ndërmjet Komunës në pjesën jugore dhe asaj në pjesën veriore, bashkëpunim ky që ka ndikuar në përafrimin dhe komunikimin ndërmjet komuniteteve.

Sa i përket zhvillimit ekonomik të Komunës, kryetari Bahtiri tha se po bëhen përpjekje maksimale në këtë drejtim dhe se tani kanë filluar të shihen edhe rezultatet konkrete. Ai përmendi Zonën industriale në Frashër, ku tashmë janë ndarë troje për disa biznese, të cilat po ashtu janë të liruara nga taksat komunale si dhe investimin qindra milionëshe në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike ku në qytetin e Mitrovicës do të ndërtohet parku energjetik ku do të prodhohen 105 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë, investim ky nga kompania “Sowi Kosovo LLC” në shifrën prej 169 milionë euro.

Kryetari i komunës së Linzit të Austrisë, Klaus Luger, pasi falënderoj kryetarin Bahtiri për mikpritje, tha se ka ardhur për të vizituar Mitrovicën dhe për të mësuar më shumë për të, duke pas parasysh rëndësinë e këtij qyteti.

Kryetari i Linzit, Luger në vazhdim u interesua të mësoj më shumë për aspekte të ndryshme të situatës dhe gjendjes së përgjithshme në Mitrovicë, për të cilat siç shihet më lartë foli kryetari Bahtiri.

Në fund, të dy palët, shprehën vullnetin për thellimin e marrëdhënieve miqësore me qytetin e Mitrovicës dhe atë të Linzit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme