Kryetari Bahtiri priti komandantin e Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, kolonelin Dominique

17:05 | 12 Prill 2019
Arbresh.info

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim komandantin e ri të Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, kolonelin Saudan Dominique, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe gjendjen e sigurisë në komunë.

Kryetari Bahtiri, pasi vlerësoi lartë bashkëpunimin e Komunës me pjesëtarët e KFOR-it, e njoftoi komandantin Dominique mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në komunë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Tani kur rezultatet në këtë drejtim janë të dukshme, kemi pas mundësi më të mëdha të punojmë në drejtim të zhvillimit ekonomik, ku kemi arritur rezultate të prekshme, falë interesimit të bizneseve për të investuar në Komunë. Në këtë drejtim qenësor ka pasur para së gjithash rëndësi angazhimi dhe përkushtimi i vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike, për të pas një situatë të qetë. Ata treguan se tashmë janë lodhur nga problemet që ata vet pothuaj asnjëherë nuk i kanë krijuar, por që ishin grupet ekstremiste që punonin për interesa të veta e jo të qytetarëve ”, tha kryetari Bahtiri.

Në vazhdim kryetari Bahtiri i tha komandantit Dominique se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të inkurajoj kontakte dhe dialog me ish-kryetarët e komunave në veri të Kosovës, por edhe ndërmjet vet qytetarëve të këtyre komunave dhe atyre në pjesën jugore të Ibrit, mirëpo bashkëpunimi me ish-kryetarët nuk ka qenë i kënaqshëm dhe nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Ndërsa komandanti Dominique ka komentuar edhe vendimin e Presidentit z. Hashim Thaçi, për shpalljen e zgjedhjeve për kryetarë të komunave të pjesës veriore, si një vendim i domosdoshëm për një situatë të qëndrueshme në veri të vendit.

Po ashtu edhe kryetari Bahtiri ka thënë se në bazë të ligjeve dhe kompetencave kushtetuese vendimi për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Mitrovicës është i nevojshëm, andaj shpresoj që këto zgjedhje të shkojnë në mënyrë të qetë dhe pa incidente, duke marrë parasysh edhe vetë prezencën e mbikëqyrësve ndërkombëtar.

Në fund të takimit, komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Saudan Dominique, u shpreh të jetë i kënaqur me atë që dëgjoi nga kryetari Bahtiri, për të shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet Komunës dhe Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri vetëm sa do ta intensifikoi dhe pasuroi, me qëllim që të realizimit të kërkesave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për të jetuar në paqe dhe për të pas një jetë sa më të mirë e të pabrenga./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme