Kryetari Bahtiri mbajti tubimin e dytë publik me qytetarë për vitin 2018

17:22 | 20 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka mbajtur tubimin e dytë publik me qytetarë për këtë vit, ku është diskutuar rreth punës së ekzekutivit të Komunës përgjatë vitit 2018. Në këtë takim kanë marrë pjesë drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe një pjesëmarrje e kënaqshme e qytetarëve.

Pasi i falënderoi për pjesëmarrje në takim në numër të konsiderueshëm, kryetari Bahtiri ju tha atyre se këtë tubim e ka thirrur me qëllim që të njoftohen për punën që po bëhen në Komunën e Mitrovicës, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen në punën e përditshme, si dhe që qytetarët e Mitrovicës të japin vërejtjet e tyre dhe të parashtrojnë kërkesa, të cilat, nëse janë të arsyeshme dhe të pranueshme, gjithsesi se do të realizohen.

Në vazhdim, kryetari Bahtiri i njoftoi pjesëmarrësit me punën që është bërë përgjstë këtij viti duke thënë se gjatë këtij viti është punuar me shumë përkushtim në përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, krijimin e klimës dhe ambientit për investime, realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit në bujqësi, kursimin e mjeteve nga mallrat dhe shpenzimet.

Ai po ashtu i njoftoi qytetarët se konkluzionin e miratuar nga Kuvendi Komunal me datën 30.11.2018 me të cilin i është propozuar Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit Nr./ L-041 për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nuk ka lejuar që konkluzioni i miratuar të delegohet tek institucionet qendrore duke e konsideruar si jo legjitime. Kështu kryetari Bahtiri, i ftoi të gjithë të pranishmit të jenë pjesë e një tryeze të përbashkët që do të mbahet nesër në ora 10:00 në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, me ç’rast do të iniciohen procedurat e peticionit për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Të pranishmit kanë shtruar pyetje dhe sugjerime ekzekutivit për punën një vjeçare, ndërsa drejtorët e drejtorive u kanë jap përgjigje të gjithë atyre që kanë drejtuar pyetje për projektet që janë realizuar gjatë këtij viti./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme