Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, ka kërcënuar me protesta nëse deri të premten Qeveria nuk vendos për të gjetur një zgjidhje për paralajmërimin e Z-Mobilet se do ta çojë Telekomin në përmbarim për miliona euro borxh.
Ai ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje dhe të mos lejohet “shantazhi e zhvatja që po bëhet nga Z-Mobile”.
“Ne do t’ua dërgojmë afatin kryeministrit e ministrit deri të premten. Të ulemi t’i diskutojmë të gjitha. Nëse dikur keni pasur llogari të merrni miliona euro nga Telekomi, sot ka nevojë ta largohet një krim i organizuar për 20-30 milionë euro dhe duhet të merret përgjegjësi. Nëse nuk thirrin deri të premten, nga e hëna do të ketë protestë e forma s’do t’u bije mirë askujt as Qeverisë e as z-Mobile. Shpresoj të mos na bien deri aty”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Balaj ka shtuar se punëtorët e Telekomit e kanë pritur një paralajmërim të tillë nga Z-Mobile.
Sipas tij, shqetësimi megjithatë s’është për punëtorët, por për Qeverinë dhe vetë Z-Mobilen.
“Ka qenë e pritur. Për punëtorë s’është shqetësuese. Duhet të jetë për institucionet e në veçanti për ata që kanë bërë kërkesë për 26 milionë euro. E shoh shqetësuese për Z-Mobilen sepse po e shoh se nuk po e di se ka hyrë në qorrsokak. Tashmë të gjithë e dinë se gjithë kjo çka ka ndodh me Z-Mobilen ka qenë krim i organizuar e që duhet ndalur njëherë e përgjithmonë. Kur është nënshkruar kontrata është nënshkruar me pasoja. S’mund të nënshkruhej pa e pas një përkrahje politike në Kosovë. Ata që e kanë nis bashkë me pronarët e Z-Mobilet duhet të ulen e të shohin çka kërkojnë. Për ne është e papranueshme. S’na frikësojnë neve. Ajo është vetëm zhvatje e shtetit. E s’mund të kërkosh mjete pa bërë asnjë shpenzim e investim”, ka thënë ai duke shtuar se për keqmenaxhim s’janë fajtorë 3600 punëtorët e PTK-së.
Balaj ka thënë se punëtorët e Telekomit kanë ditur t’i dalin përballë edhe regjimit të Millosheviqit e “tash do të dinë t’i dalin edhe regjimit ekonomik”.
Ai ka kërkuar që të ndërpritet kontrata teksa ka shtuar se mund të mos ua kryejnë më shërbimet Z-Mobilet nëse “vazhdon me lojën e fëlliqur”.
“S’mund të kemi partner që vazhdimisht të shantazhojnë. S’ka përfillur kontratën. Ka qenë e keqe e tash po shitet viktimë se kemi pas shërbime të dobëta. Kryeministri duhet të marrë përgjegjësi. Ky Telekom ia ka dhënë shtetit mbi 500 milionë. Nëse je aksionar e tash thua s’marr përgjegjësi, s’është normale as ta dëgjosh. Besoj se ka me marrë përgjegjësi. Ne si punëtorë s’kemi bërë këtë kontratë, por kryeshefat. Pse të bartim ne pasojat për veprat e atyre milionerëve me të cilët s’merret askush. Pa ndërhyrje politike s’do të mund të nënshkruhej kjo kontratë. Ajo ishte paraparë qysh atëherë të fitonte Z-Mobile e deri te Arbitrazhi ku besoj se aty është bërë më së shumti krimi dhe shpëlarja e parave. Ne s’kemi pas nevojë për të. U bëj thirrje edhe pronarëve të Z-Mobile që të kenë kujdes sepse tani keni punë me 3600 punëtorë e s’mund të dalësh t’u thuash se kemi me ju lënë pa punë. Një njeri që po mendon të përfitojë miliona pa investuar fare. Ai duhet të ketë të sigurt që siç mund të lërë fëmijë me prindër pa punë duhet t’u thotë fëmijëve të vet se edhe mua mund të më ndodhë diçka nëse i lë pa punë 3600 vetë”, ka shtuar Balaj.
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...