Google ADS

Kryeparlamentari: Le ta dinë të gjithë, se ushtria e Kosovës po bëhet dhe s’ka kthim prapa

14:54 | 2 Nëntor 2018
Arbresh.info

Në bazë të të gjitha analizave që i kemi bërë me miqtë nga NATO, sa i përket strategjisë së sigurisë, do të kemi pesë mijë ushtarë aktivë dhe tre mijë rezervë, ka zbuluar kryetari i Kuvendit, njëherësh lider i PDK-së Kadri Veseli për gazetën kroate “Vecernji list”.

Pasi që gazeta kroate “Vecernji list” më 27 tetor realizoi reportazhin për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe ku pjesë e tyre janë edhe serbët e Kosovës, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili menjëherë i ka ftuar serbët që mos të jenë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, thuhet në tekstin e radhës të kësaj gazete.

Thirrjen e presidentit të Serbisë drejtuar serbëve, për “Vecernji list” e ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke e akuzuar Vuçiqin që po i manipulon serbët e Kosovës.

“Pa marrë parasysh në protestat që vijnë nga Beogradi, jemi të vendosur të themelojmë Ushtrinë e Kosovës dhe më këtu nuk ka kthim”, ka thënë Veseli.

“Këtë do ta bëjmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe jemi në kontakt të përhershëm me SHBA-të, si dhe partnerët tanë nga NATO, Gjermaninë, Francën, Italinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe… Për shkak të presioneve nga Beogradi, Lista Serbe ka qenë e përmbajtur gjatë votimit të ligjeve për Ushtrinë e Kosovës dhe hapur kanë thënë se janë kundër. I kemi pasur dy opsione rreth iniciativës për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. E para, përmes ligjit për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe e dyta përmes ndryshimit të Kushtetutës, që nuk ishte e mundshme të bëhet pasi që Lista Serbe ishte kundër. Prandaj kemi vendosur në transformim për çka nuk ishte e nevojshme 2/3 e deputetëve e as mbështetja nga Lista Serbe”, ka thënë Veseli.

Ai po ashtu ka theksuar se Kosova është vend që dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, e jo luftë.

Sipas tij, transformimi nuk do të thotë që Kosova dëshiron luftë ose do të zhvillojë politikë agresive, siç dëshiron ta paraqesë Vuçiqi.

“Këtë e kuptojnë plotësisht qytetarët tanë të nacionalitetit serb të cilët me gjithë presionin nga Beogradi, kanë hyrë në radhët e Ushtrisë së Kosovës. Deri në fund të vitit, Ushtria e Kosovës do të jetë plotësisht e formuar. Qëllimi i ushtrisë do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe kërcënimi global jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Atë që Vuçiqi e kundërshton dhe i fton serbët që mos të përfshihen në Ushtrinë e Kosovës, nuk është njerëzore dhe as korrekte. Ne jemi shtet i pavarur dhe serbët që jetojnë në Kosovë janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër tjera Veseli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme