Kryeministri nuk raporton para Komisionit për 500 mijë eurot e ndara për 11 vjetorin e Pavarësisë

11:18 | 22 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në mbledhje të Komisionit për mbikëqyrje të Financave Publike, ishte i ftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj për të raportuar lidhur me 500 mijë euro të ndara për shpenzime me rastin e festës së 11 vjetorit të Pavarësisë, por kryeministri nuk ka ardhur, raporton arbresh.info.

Ndonëse ishte ftuar as kryeministri e as zëvendësit e tij nuk e kanë marrë mundin të vijnë dhe të japin sqarime lidhur me këto shpenzime.

Kryetari i Komisionit përkatës Driton Selmanaj ka thënë se është e pakuptimtë ndarja e një shume kaq të madhe kur aktivitetet e festës së Pavarësisë nuk kanë pasur ndonjë kosto të lartë.

Ai ka shprehur shqetësimin se si kryeministri nuk ka shkuar në komision dhe të arsyetoj2 këtë shumë.

“Arsyeja pse kemi vendosur me fol për ketë është mënyra se si po ndahen nga Qeveria Haradinaj mjete për disa aktivitete. Vetëm vitin e kaluar janë ndarë mbi 8 milionë e 300 mijë euro për këto raste. E fundit është 500 mijë euro për aktivitetet e 11 vjetorit të Pavarësisë. Për fat të keq këto raporte s’po mundemi mi shqyrtua, sepse nuk janë personat kompetent këtu. Vitin e kaluar janë ndarë 600 mijë euro për festen e Pavarësisë e në kohën Mustafa janë ndarë vetëm 70 mijë euro. Na s’mundemi mi diskutu këto pasi që nuk është kryeministri këtu e as 5 zëvendëskryeministrat. Neve na duhet Kryeministri më na i tregua arsyet për këto shpenzime që s’kanë logjikë. Ne si Komisioni kemi kërkuar të vije Kryeministri po ai s’ka ardhur. Kur i analizojmë aktivitetet nuk është që kanë pasur ndonjë shpenzim të madh të aktiviteteve dhe 500 mijë euro nuk e dimë nga kanë shkuar”.

Ndërsa i ashpër për këtë vendim u shpreh edhe Mërgim Lushtaku nga PDK-ja.

Ai tha se ndonëse është nga radhët e koalicionit qeveritar është e pakuptimtë që një shumë e tillë të ndahet për 11 vjetorin e Pavarësisë.

“E kom marr me shqetësim gjithë këtë buxhet të ndarë për festën e Pavarësisë së Kosovës. Ma mirë u kanë jo veç në aktivitet me çu këtë shpenzime por më investua të familjet që nuk e kanë një mirëqenie të mirë. Ishte dashur që të diskutojmë për të gjitha shpenzimet që i bëjmë për festa të ndryshme pasi që festa duhet me qenë edhe familjet e varfra e jo vetëm në aktivitete”, tha ai.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK-ja, tha se është shqetësuese se si po shpenzohet buxheti i Kosovës.

“Nuk ka asnjë arsye për ndarje të gjithë kësaj shume për festën e Pavarësisë. Ne në materialet që na u është dërguar kemi ofertën e kompanisë që është marrë me aktivitetet e Pavarësisë dhe duhet me ditë se si është përzgjedhur kjo kompani. Për mbledhjen e ardhshme duhet të obligohet Kryeministri ose ndonjë zëvendës që të vijë dhe të na tregoj për gjithë këtë shumë të ndarë për një festë të Pavarësisë. Sugjeroj që mos të diskutojmë sot më shumë deri sa të na vije kryeministri në komision”.

Në këtë komisioni i cili është duke u mbajtur janë duke u shqyrtuar raportet e auditimit lidhur me shpenzimet vjetore të ZKM-së./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme