Kryeministri: Kosova është krenare për dashurinë dhe admirimin që ka për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

18:16 | 23 Nëntor 2018
Arbresh.info

“Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj shumë që sot jemi së bashku, në shenjë të mirënjohjes, falënderimit, dhe asaj se sa pasionant jeni për vendin tonë, kombin tonë, gjatë gjithë kohës edhe në ato kohëra sfiduese, mirëpo ne jemi miqtë e juaj gjatë gjithë kohës”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritjen e organizuar nga vetë ai, me rastin e Ditës së Falënderimeve, për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ndër tjerash, tha se, Kosova është krenare për atë se sa shumë i do Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka admirim ndaj saj.

“Kjo është një ditë e veçantë për të cilën ne gëzohemi që ju e keni këtë ditë dhe çfarë mesazhi apo porosie të mirë jepni në Ditën e Falënderimeve, sepse dje patët kohë disa prej jush me familje, disa prej fëmijëve tuaj janë larg, mirëpo shpresojmë se gjatë kohës tuaj këtu të ndiheni si në shtëpitë tuaja, si në familjet tuaja në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohje të thellë për popullin amerikan, për rolin e tyre të madh ndaj Kosovës.

Ndërkaq, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, tha se sot amerikanët ndjehen mirë si në shtëpitë e tyre, duke shtuar se kosovarët janë miqtë e Amerikës.

“Është kënaqësi që jemi duke festuar sonte këtu me ju. Faleminderit shumë për mikpritjen tuaj, për ngrohtësinë tuaj, miqësinë dhe për çdo gjë që festojmë në Ditën e Falënderimeve.

Një fjalë para të pranishmëve e pati edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Falënderimeve, përveç stafit amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, të pranishëm ishin edhe ministra, shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe përfaqësues të tjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme