Kryeministri Ramush Haradinaj po pushon në të gjitha aspektet. Përveç që ka kaluar disa ditë në bregdet, ai ka heshtur për zhvillimet që ngjallën reagime të shumta në Kosovë
Dha dorëheqje një prokuror, ai i Prokurorisë Speciale, i cili po merrej me rastin e listave të fryra të veteranëve, që përfshin ndër mashtrimet më të mëdha që janë bërë viteve të fundit të vend. 60 mijë persona kanë fituar statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gazeta Express ka pyetur sot zyrën e Kryeministrit për komentin e Haradinajt, rreth largimit të një prokurori që ishte kërcënuar derisa po kryente punën e tij, e tutje dha edhe dorëheqje.
“Kryeministri Haradinaj kërkon nga organet e drejtësisë që çdo proces të hetohet deri në fund”, ka thënë për Gazetën Express, zëdhënsja e Qeverisë, Donjeta Gashi.
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit është hetuar nga ish-prokurori Elez Blakaj, e madje ai e ka lënë gati aktakuzën.
Anëtarët e këtij komisioni, duke filluar nga Agim Çeku, si kryesues i saj, e anëtarë të tjerë si deputeti i AAK’së, Shkumbin Demaliaj, Nuredin Lushtaku, Xhevat Jashari, është konfirmuar në media se janë intervistuar. Koha Ditore ka publikuar sot aktakuzën e ngritur lidhur me mashtrimet në listat e veteranëve.
Të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Tre prej tyre, deputeti i AAK’së, Demaliaj, ministri i FSK’së (nga radhët e AAK’së), Rrustem Berisha, dhe zëvendësministri (nga PDK), Agim Çeku janë në listën e të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve.
Nuk ka pasur përgjigje nga Zyra e Kryeministrit rreth listës prej 60 mijë veteranëve për të cilën është intervistuar i gjithë komisioni, disa prej anëtarëve të së cilës janë pjesë e Qeverisë Haradinaj.
Në procesverbalin i cili citohet në aktakuzën e prokurorit Blakaj, thuhet se deputeti i AAK’së, në cilësinë e anëtarit të Komisionit e ka pranuar se është i vetëdijshëm se nuk ishin kaq shumë nveteranë.
Demaliaj, i kontaktuar sot nga Gazeta Express, thotë se të gjitha procesverbalet dhe dokumentet dëshmojnë numrin e madh të veteranëve.
Ndërkaq kryeministri më herët e kishte arsyetuar numrin e lartë të atyre që mund ta marrin listën e veteranëe.
Ai derisa ishte pjesë e opozitës, në vitin 2015, si ish-komandant i zonës së Dukagjinit, i kishte dërguar një letër kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa dhe presidentës Atifete Jahjaga. Aty kërkonte që t’u njihej statusi i veteranit shumë njerëzve që kishin kontribuuar në formimin e shtabeve lokale.
“Krahas organizimit dhe profilizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formimit të brigadave dhe njësive të tjera organizative, të njëjtit kanë vazhduar angazhimin e tyre në kuadër të UÇK-së. Ata, edhe nëse nuk janë përfshirë nëpër brigada dhe njësi të tjera organizative, kanë dhënë kontributin e tyre në shtabet lokale/komunale të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë aktive e luftës sonë deri në çlirim. Andaj, shërbimi i tyre nuk përfundon me krijimin e njësive të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nisur nga kjo, propozoj që të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre shtabeve lokale/komunale të UÇK-së t’iu njihet ajo që iu takon, statusi i ushtarit/veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së”, thuhej ndër të tjera në letrën e kryetarit Haradinaj.
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...