Kryeministri Haradinaj: Të gjithë duhet të japim nga vetja jonë, për një të nesërme më të mirë

22:58 | 18 Dhjetor 2018
Arbresh.info

“Nëse të gjithë ne japim nga vetja jonë për një të nesërme më të mirë, jam i sigurt se vetëm do t’iu shpërblejmë brezave që janë sakrifkuar që në këtë vend të jetohet me dinjitet dhe gjithashtu t’ua shpërblejmë të gjithë atyre që presin një storje suksesi për Kosovën. Jemi edhe ne qind për qind për një Kosovë të suksesshme dhe ky qind për qind është një sfidë e madhe që mund ta kalojmë së bashku”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në pjesëmarrjen e organizuar për fundvit nga Oda Ekonomike e Kosovës në mbështetje të Down Sindrome Kosova.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, pasi i përshëndeti të gjithë, duke i falënderuar ata, që siç tha ai, janë krijues të vlerës ekonomike dhe për t’iu uruar një përmbyllje sa më të mirë të këtij viti dhe një vit sa më të suksesshëm, uroi po ashtu drejtorin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, por edhe drejtoreshën e Down Sindrome Kosova, Sebahate Beqiri për angazhimin e saj ndaj fëmijëve.

“Është me rëndësi të theksohet se sonte jo vetëm që po përçohet një porosi e mirënjohjes dhe respektit për sipërmarrësit si krijues të vlerës ekonomike për vendin tonë, por po ashtu, sot po bëhet edhe një veprim tjetër shumë njerëzor, siç është edhe vlera jonë. Unë mendoj se populli Kosovës është i shquar për humanizmin e bujarinë tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se në këto momente me peshë, të gjithë janë krijues, dhe se vlera e secilit është çmueshme.
Ndërkaq , drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se bizneset janë të determinuara të jenë zëri i arsyes në këtë vend dhe se ata janë të vendosur që të ndihmojnë kur është e nevojshme, ashtu siç janë mbledhur sonte në mbështetje të Down Sindrome Kosova.

Drejtoresha e Down Sindrome Kosova, Sebahate Beqiri, duke i falënderuar të gjithë për praninë e sotme dhe për vullnetin e të gjithëve për të qenë afër nevojave të këtij komuniteti, tha se kjo shoqatë për 11 vite ka punuar në drejtim të mbrojtjes dhe përfaqësimit të denjë të personave me sindromin Down. Në fund të ceremonisë, janë ndarë edhe shpërblime për tatimpaguesit, punëdhënësit dhe eksportuesit e vitit 2018, njërin prej të cilëve e ndau edhe kryeministri Haradinaj.​/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme