Kryeministri Haradinaj: Komunitetet i kemi pasuri nacionale, janë tonët, do t’i respektojmë

17:35 | 19 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën e fundvitit, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, në të cilën u bë prezantimi i të arriturave të kësaj Ministrie.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe ministrin Demiri për punët dhe projektet e suksesshme që janë me rëndësi për qytetarët, rajonet, ashtu sikur edhe është menduar zhvillimi rajonal.

Duke falënderuar të gjithë ministrat për përkrahjen që i kanë dhënë kësaj Ministrie me ndarjen e buxhetit, kryeministri Haradinaj tha se ka punuar shumë që të krijohet një besim ndërmjet vete, e veçanërisht nuk ka lejuar që çështjet politike të dëmtojnë marrëdhëniet me komunitetet.

“Komunitetet i kemi pasuri nacionale, janë tonët, do t’i respektojmë, dhe ju siguroj se kështu do të vazhdojmë edhe më tutje. Në çdo rrethanë, ne asnjëherë, vështirësitë tona nuk do t’i kthejmë në negativitet kah komunitetet, por do të jemi çdo herë bashkë, në një jetë përpara”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj falënderoi për besimin që ky komunitet ia kanë dhënë formimit të ushtrisë, duke thënë se ajo është ushtria e tyre, dhe aty do të shërbejnë edhe djemtë dhe vajzat e tyre, ashtu sikurse kanë shërbyer në të kaluarën, dhe tha se beson që edhe ata do t’i gëzohen faktit që Kosova ka ushtri, sepse një Kosovë me ushtri është e mirë për të gjithë që jetojnë në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për taksën dhe marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën, duke thënë se bashkëndjenë me Bosnjën, sepse është një vend që meriton respektin dhe partneritetin tonë.

“Dëshirojmë që përmes veprimit që kemi ndërmarrë që Serbia të na njohë. Ata kanë nevojë për tregun tonë, ne për njohje, dhe po ashtu dëshirojmë t’ia lehtësojmë edhe Bosnjës që nesër të marrë një vendim për njohje për Kosovën, sepse ne nuk kemi tema të hapura me Bosnjën dhe nuk dëshirojmë t’i lëndojmë me këtë vendim”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ky vendim nuk është marrë për të lënduar marrëdhëniet ndërmjet popujve e vendeve, por një veprim i caktuar, për një situatë të caktuar, që ka të bëjë me marrjen e njohjeve nga këto dy vendeve, ngase është interes i yni.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, në konferencën vjetore paraqiti aktivitetet kryesore të realizuara gjatë vitit 2018 nga kjo Ministri.

Me këtë rast, ministri Demiri tha se Ministria që ai drejton, ndonëse e re, në mungesë të shumë kapaciteteve, nga dita e themelimit e deri më sot, ka arritur të funksionalizohet për një kohë të shkurtër dhe ka zbatuar të gjitha obligimet ligjore që kanë dalë nga lagjislacioni në fuqi./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme