Krimet e luftës në Kosovë, flet ish-luftëtarja e UÇK-së Shkëndije Hoda

09:08 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Edhe 20 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, kriminelët serbë që pa mëshirë vranë e masakruan gra e fëmijë, burra e pleq e shumë të tjerë që lanë me ankth e trauma, vazhdojnë që të sillen të lirë e pa u penduar për krimet që kanë kryer gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.

Në prill të këtij viti një grup i shoqërisë civile ka filluar të mbledhë dhe dorëzojë në Prokurorinë Speciale kallëzime penale për kriminelët serbë.

Deri më tani nga komuna e Gjakovës janë dorëzuar në Prokurori rreth njëmijë kallëzime penale.

Shkëndije Hoda, Udhëheqëse e zyrës për mbledhjen e dokumenteve të krimeve të luftës në Gjakovë ka thënë se përmes dorëzimit të këtyre kallëzimeve penale, qytetarët po e ngritin zërin për t’i çuar në burg ata që janë përgjegjës për vuajtjet e shumë viktimave pas luftës në Kosovë.

Kallëzimet penale përmbajnë një sërë dokumentesh nga dëshmitari që ka përjetuar krimin ose që e ka parë krimin. Pastaj pasojnë fotografitë nëse ekzistojnë. Janë edhe dokumente shtesë për vjedhje apo dëmtime”, ka thënë Hoda në një intervistë për portalin arbresh.info.

“Kemi arrit t’i grumbullojmë diku afër një mijë kallëzime penale deri më tani. Qytetarët vazhdojnë dita ditës të vijnë, janë të interesuar t’ia kthejnë borxhin gjakut të lirisë. Kjo është vepra më e mirë që mund ta bëjë një qytetar për dikon që i mungon dikush i familjes”, u shpreh ajo.

Familjet e prekura nga lufta në Gjakovë po e ngritin zërin për kërkimin e fajtorëve që lanë shumë fëmijë jetim, gra pa burra e nëna pa fëmijët e tyre.

“Familjarët në fillim kanë hezituar sepse ne vitet e para pas luftës kanë bërë kallëzime penale në gjykatën në Kosovë por janë kthyer negative në pamundësi që të ngritët padi sepse ende s’kemi qenë si shtet i formuar. Tash me formimin e shtetit qytetari ka filluar të ngris zërin”, ka thënë ajo.

Hoda tregon se në zyrat e tyre kanë shkuar edhe gra të dhunuara gjatë luftës, por sipas saj vetëm tre ose katër raste do të pranojnë që të dëshmojnë edhe në gjykatë.

Prokuroria Speciale është duke shqyrtuar me kujdes këto kallëzime penale thotë Hoda, por ende nuk ka arritur të ngritë asnjë aktakuzë për të dyshuarit.

“Prokuroria rreth rastit të komunës së Gjakovës ka punuar mjaft, prova ka mjaft. Është një sukses i madh kur e dimë që qytetarët kanë filluar të marrin në pyetje”, deklarohet ajo.

Pas dorëzimit të valës së shtatë të Kallëzimeve Penale në Prokurorinë Speciale, Grupi i Shoqërisë Civile që bën grumbullimin e dëshmive është në përgatitje e sipër të valës së re./M.Avdimetaj/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme