Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se mbështesin seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, pasi që, siç thotë ajo, çdo marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar në emër të Kosovës duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Duhet të ketë një koordinim mes institucioneve, që Kuvendi të jetë i përfshirë në çdo instancë të dialogut Kosovë-Serbi. Të dihen vijat e kuqe për këtë proces. Kuvendi ka anashkaluar vazhdimisht thirrjet për një seancë për dialogun. Pasi jemi duke dëgjuar për skenarë për ndryshim të kufijve, që po e thotë presidenti Thaçi, seanca është e mirëseardhur”, tha Krasniqi.
Duke folur për ekipin negociues të formuar nga Qeveria Haradinaj për mbikëqyrje të procesit dialogues, Krasniqi thotë se ky vendim nuk jep shumë qartësi sepse nuk dihet cilat janë kompetencat e tij.
“Nuk e dimë se si do të përfaqësohet Kosova në takimin e 7 shtatorit, e as në takimet e ardhshme. Në vendim të qeverisë shohim vetëm emra, por jo edhe platformë të Kuvendit për dialogun. Nuk e dimë se çka kërkon Kosova në këtë proces, cilat janë vijat e kuqe të Kosovës… Ne sot shohim që institucionet e Kosovës sot nuk kanë një qëndrim unik. AAK-ja është kundër ndryshimit të kufijve, ndërsa PDK-ja, pjesë e koalicionit qeverisës, mbështesin Thaçin dhe të gatshëm të bisedojnë për ndryshim të kufijve, për marrjen e Luginës së Preshevës”, theksoi ajo.
Krasniqi thotë se nuk beson që presidenti Thaçi do të jetë vetëm “ceremonial” në procesin e dialogut, pavarësisht se Qeveria e ka emëruar Fatmir Limajn si udhëheqës të dialogut.
PSD ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 9 të thirrur nga partitë në pushtet ku do të vihet në votim ekipi negociues.
“Do të shohim se a do të ketë kuorum në seancën e orës 9, sepse nevojiten së paku 60 deputetë që seanca të mbahet, ndërsa për të votuar një rezolutë, duhen së paku 61 vota. Duhet të theksoj se rezoluta nuk është ligjërisht e obligueshme, por është vetëm vullnet. Edhe pse s’ka fuqi juridike, ka fuqi politike”, tha ajo, duke shtuar se “rezoluta e opozitës ka rëndësi” që t’i bëhet e qartë çdo negociuesi që nuk guxon të diskutojë për ndryshimin e kufijve.
Ajo thotë se seanca e opozitës nuk rrezikon territorin e Kosovës, siç po dëshirojnë ta cilësojnë disa parti në pushtet.
“Kuvendi është dashur ta bënte shumë më parë këtë gjë, të diskutojë për dialogun me Serbinë dhe për të vendosur vija të kuqe se si duhet të jetë platforma e shtetit të Kosovës.
“Dy seancat e nesërme mund të çojnë në konflikt. Është gjithmonë pozitive kur kemi institucione që qëndrojnë prapa një qëndrimi të artikuluar nga vet institucionet, siç janë Kuvendi e Qeveria, e madje edhe nga Presidenti. Por, Kuvendi ende s’e ka qëndrimin e vet. Kemi vetëm partitë parlamentare që thonë se kanë qëndrime unike. Haradinaj tha se as Limaj s’e ka autorizimin e tij për të dialoguar për integritetin territorial të Kosovës, por në dokument s’pati gjë”, u shpreh Jeta Krasniqi në Interaktiv të KTV-së.
Ajo thotë se është një koalicion i organizatave joqeveritare në Kosovë e Serbi që i kanë dërguar kohë më parë letër Mogherinit që të mos ketë diskutime për kufijtë mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
“BE-ja ka ndryshuar qëndrim dhe është pro arritjes së një marrëveshjeje që është në rregull prë të dyja palët dhe nuk rrezikon shtetet tjera. BE-ja nuk e ka luajtur rolin që duhet ta kishte, si garantues dhe interpretues të marrëveshjes, t’i ndëshkojë ata që nuk i zbatojnë marrëveshjet. Por, BE-ja nuk ka dashur të bëjë një gjë të tillë”, tha Krasniqi.
Zyrtarja e KDI-së thotë se opsioni i shkëmbimit të territoreve, jo që nuk do të zgjidhte probleme, por do të mund të shkaktonte probleme të reja në rajon.
“Shkëmbimi i territoreve nuk do të zgjidhte probleme. Do të mund të krijonte precedent edhe për shtetet tjera të rajonit. Kemi skenarë edhe që vënë në pikëpyetje shtetin e Kosovës. Nëse bëhet shkëmbimi i territoreve, do të mund të shkonte deri tek një konfederatë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këto skenarë janë të rrezikshëm që madje s’e dimë as çfarë do të mund të sillte për rajonin. E kemi Bosnjën me probleme, e kemi Maqedoninë…”, u shpreh ajo.
Sipas saj, arritja e marrëveshjes mes dy vendeve varet nga vullneti politik i të dyja vendeve.
“Në Kosovë, Presidenti Thaçi ka thënë se do të vihet në referendum një marrëveshje e mundshme me Serbinë, e të njëjtën e kanë thënë edhe në Serbi. Qartësimi i pozicionit të shtetit të Kosovës është i nevojshëm. Kosova s’ka kohë që të ketë konfrontime të çdo fragmenti të partive politike për atë se çfarë duhet të përfaqësojë njëra në dialog e çfarë tjetra. Duhet të kemi seriozitet më të lartë”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi foli për sondazhin e tyre që kishte dalë në mbi 40 për qind që përkrahin Presidentin Thaçi për të dialoguar, por që ky sondazh ishte bërë para se të flitej në opinion për shkëmbim territoresh.
“Është më e se e nevojshme që Kosova të mos krijojë problematika për shtetin e Kosovës, të mos krijohen skenarë vështirë të zbatueshëm, të cilat mund ta bëjnë Kosovën të varur nga marrëveshjet ndërkombëtare, e bëjnë Kosovën shtet jofunksional në arenën ndërkombëtare. Kosova duhet të lobojë me miqtë e saj ndërkombëtarë që të mbështesin epilogun që Kosova e kërkon në fund të dialogut me Serbinë. Janë mbi 30 marrëveshje të arritura që ende nuk zbatohen, siç është ajo e energjetikës, të cilën s’e zbaton Serbia. BE-ja si ndërmjetësuese e këtij procesi, pret nga palët që ta respektojnë atë”, thotë Jeta Krasniqi nga KDI-ja./Koha.net/
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...