Google ADS

Kostoja e lartë e uljes së moshës së pensionimit të Policëve shtyn miratimin e këtij projektligji

23:44 | 29 Gusht 2018
V. S.

 

Projektligji për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka dy vjet që ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pasi që mosha mesatare e Policisë së Kosovës konsiderohet e lartë, përmes këtij projektligji synohet që policët të dalin në pension në moshën 55 vjeçare dhe të marrin 60 për qind të pagës, raporton KTV.

Megjithëse grupi punues në hartimin e këtij projektligji në vazhdimësi ka dhënë propozimet e veta dhe ka kërkuar që ligji të procedohet tutje, në qeveri një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Sindikata e policisë thotë se ende nuk dihet se kur i njëjti projektligj do të shkojë në qeveri për t’u proceduar pastaj në Kuvend për miratim.

Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës së PK-së, thotë se arsyeje e qeverisë për mosmarrjen e masave në këtë drejtim ka qenë kostoja e lartë, të cilën buxheti i shtetit nuk mund ta përballojë.

Kritika mbi qeverinë hedh Vetëvendosja, sipas së cilës, qeveria është e paaftë të ulë moshën mesataren të policisë me qëllim që e njëjta të jetë më efikase.

Deputeti Rexhep Selimi, i cili disa herë ka kërkuar në Kuvend pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë, thotë se qeveria nuk është e gatshme dhe është e padijshme për ta zgjidhur këtë problem.

Kohavisioni i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme se kur do të merren me këtë projektligj për ta dërguar pastaj në kuvend për miratim, por nuk ka marrë përgjigje.

Ky ligj pritet gjithashtu që të rregullojë edhe llojet e pensioneve që do të jenë pensioni i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar./KTV/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme