Google ADS

Kosova nuk ka çfarë të bisedojë me Serbinë në lidhje me territorin

11:38 | 31 Tetor 2018
Arbresh.info

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk ka çfarë të bisedojë me Serbinë në lidhje me territorin e saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kosova e ka fituar finalen e saj me Serbinë në vitin 2008 dhe se tashmë nuk ka asgjë çfarë të bisedohet me Serbinë në lidhje me shtetësinë e Kosovës, raporton lajmi.net.

“Finalen me Serbinë Kosova e ka kryer në vitin 2008 edhe Serbia është ankuar për rezultatin e ndeshjes të cilën Kosova e ka fituar në 2008-ën edhe Gjykata. Serbia është ankuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe Gjykata i ka dhënë të drejtë fitores së Kosovës. Këtu ka përfunduar finalja me Serbinë. Këtu ka përfunduar ndeshja mes Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar Konjufca.

Sipas tij, është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, i ka dhënë përgjigjen e duhur Serbisë në vitin 2008 dhe se tashmë nuk ka asnjë logjik që të diskutohet në Bruksel për korrigjimin e kufijve që sipas tij, kjo do të nënkuptonte vënien në dyshim të shtetësisë së Kosovës.

Tutje në fjalën e tij, Konjufca ka propozuar që në rezolutën e cila ia pamundëson presidentit Hashim Thaçi që të diskutojë në Bruksel me Serbinë, të shtohen edhe një pikë e cila sipas tij, do t’ia ndalonte Thaçit që të diskutojë me Serbinë për territorin e Kosovës.

“Rezoluta aktuale është e mirë por unë mendoj se edhe një pikë tjetre do ta bënte edhe më të mirë. Me një pikë të rezolutës Hashim Thaçit duhet t’ia kushtëzojmë çdo takim me Serbinë. Një pikë të rezolutës duhet të thuhet se Hashim Thaçi nuk duhet të bisedojë kurrë me Serbinë dhe se Hashim Thaçi kurrë nuk duhet të diskutojë për territorin e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca, raporton lajmi.net.

Konjufca po ashtu ka thënë se e mirëpret qëndrimin e PDK-së dhe se sipas tij, PDK-ja e ka kuptuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe në Kosovë, është një bosnjëzim i Kosovës dhe jo një Organizatë Joqeveritare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme