Kosova me çmimin më të ulët të rrymës

17:38 | 3 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, ka publikuar të dhënat e reja statistikore të çmimit të energjisë elektrike të Evropës. Në bazë të këtyre të dhënave, Kosova vazhdon të mbajë çmimin më të ulët të energjisë elektrike në kontinentin e vjetër.

Ndryshe, sipas Eurostat, çmimet e energjisë elektrike në shtetet e Bashkimit Evropian kanë pësuar rritje, krahasuar me vitin 2017. Përkundër, Kosova ka arritur të mbajë çmim të ulët të energjisë elektrike, krahasuar me vendet tjera.

“Statistikat përfshijnë çmime të energjisë elektrike për konsumatorët e amvisërisë dhe konsumatorët tjerë në Bashkimin Evropian. Lista gjithashtu përfshinë të dhëna mbi çmimet në Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi, Serbi, Turqi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë”, thuhet në faqen zyrtare të Eurostat.

Ky çmim kënaq qytëtarët, por jo kompanitë energjetike.

“KEDS vitin 2019 e ka përmbyllur me humbje. Sigurisht, çmimet nuk e reflektojnë koston. KEDS po investon vazhdimisht. Por, rritja e çmimeve e orientuar në përmirësimin e Rrjetit Elektrik do ta përshpejtonte këtë dinamikë dhe do të thoshte rritje direkt e mirëqenies së qytetarëve”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Ai shpjegon faktorët realë që po e godasin aktualisht furnizimin me energjie elektrike.

“Qytetarët kanë energji elektrike, por ajo për shkak të rrjetit të trashëguar në gjendje të rëndë, shpeshherë është e vështirë të distribuohet. Rrjeti po transformohet me ritme të shpejta, por çdo ndryshim çmimi që do të rriste gamën e investimeve do të përshpejtonte tutje ndryshimin, që është jetik për  konsumatorët tanë”, shton Buzhala.

Krahasuar me Evropën, konsumatori i amvisërisë është tutje i privilegjuar. Çmimet e amvisërisë në Kosovë, bazuar në Eurotat dhe politikën e ndërtuar nga ZRRE janë më të ulëta se ato të biznesit, përderisa në vendet Evropiane konsumatorët shtëpiak paguajnë të paktën dyfish çmim më të lartë se bizneset. Madje, duke u bazuar në analizat e Eurostatit, qytetarët evropianë në disa vende, sidomos ato skandinave paguajnë tarifa edhe trefish më të larta se bizneset.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme