Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë thonë se edhe gjatë vitit 2018, me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka ngecur. Ata tërheqin vërejtjen se sfida kryesore mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të profilit të lartë të përfshirë në raste të korrupsionit dhe lidhjet e ndikimet e tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
Një rosë e verdhë që po bëhet simbol i luftës botërore kundër korrupsionit, u shfaq të dielën në qendër të Prishtinës për të tërhequr vëmendjen, siç thonë organizatorët, për mosndëshkimin e personave të përfshirë në korrupsion. Kjo shfaqje ishte një nga veprimtaritë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Organizatat e shoqërisë civile që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se edhe gjatë vitit 2018 me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka shënuar ngecje.
Arton Demhasaj nga organizata Çohu thotë se ngecjet shfaqen posaçërisht për rastet e zyrtarëve të profilit të lartë.
“Korrupsioni i nivelit të ulët në vazhdimësi është luftuar dhe dënuar me aq sa ka pasur por të niveleve të larta gjithmonë ka pasur stagnim. Ky vit ka pasur më tepër përparim por jo sa duhet për shkak se ka plot raste që sillen nëpër organet hetuesisë me vite të tëra, pastaj shkon në gjykata dhe gjykata i zgjatë proceset në një afat tepër të gjatë që shpeshherë përfundojnë edhe me parashkrim ose thjesht sillen rreth pafundësisë dhe asnjëherë nuk marrin dënimet meritore për çfarë ishin duhur të i marrin”,tha zoti Demhasaj.
Rreze Hoxha nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se edhe gjatë këtij viti institucionet e drejtësisë janë bërë pjesë e skandaleve që janë pasqyruar në punën e sistemit në tërësi.
“Mirëpo në të njëjtën kohë kanë ulur edhe besimin e qytetarëve në këtë sistem. Rrjedhimisht mund të themi se këto skandale dhe përfshirja e institucioneve të sistemit të drejtësisë në këto skandale tregon një pasqyrë të qartë të asaj që institucionet janë të politizuara”,tha zonja Hoxha.
Muajin e kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi nëntë projektligje që lidhen me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
Sipas Kodit të ri Penal, zyrtarëve që dënohen për vepra të korrupsionit do t‘u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike deri në 10 vjet.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nëpërmjet një video mesazhi në kuadër të Javës kundër korrupsionit në Kosovë tha se ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme nëse nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe vazhdimisht.
“Qytetarët e Kosovës duhet të shohin që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe që ai të përdoret për të ndëshkuar sjelljen korruptuese, veçanërisht kur kryesit janë zyrtarë qeveritar dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Ju nxisë që të shikoni përtej interesave personale dhe të kërkoni me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien që qytetarët e dëshirojnë dhe e meritojnë. Llogaridhënia do të thotë shkelësit e ligjit në burg, konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”,tha ambasadori Kosnett.
Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës – Transparency Kosova thotë se zbatimi i ligjeve kundër korrupsionit po dështon në praktikë.
“Në qoftë se ato ndryshime nuk po i përshtaten vendim marrësve tanë atëherë ato po neglizhohen. Mendoj që është niveli i lartë i ndërhyrjes politike në sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm aty dhe po e bën të pamundshëm ngritjen e efikasitetit për luftimin e korrupisonit”, tha zoti Kelmendi.
Zoti Demhasaj thotë se lidhjet dhe ndikimet politike po e pamundësojnë luftën kundër korrupsionit sidomos për nivelin e lartë politik.
“Edhe në momentin kur ekziston një kapje e tillë prej shteti atëherë është problem që të pritet që këta prokuror dhe gjyqtar kanë me shqiptu dhe hetuar seriozisht korrupsionin dhe gjykatat kanë me shqyrtu seriozisht masat e rënda ndëshkuese që të ketë efekt parandalues edhe tek tjerët. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse nuk kemi një luftë aktive dhe të fortë kundër korrupsionit sepse ka figura brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor që janë nën ndikimin e politikës dhe kjo e bën një gjë të tillë”,tha zoti Demhasaj.
Luftimi i korrupsionit është vënë kusht për Kosovën nga zyrtarët e lartë evropian, të cilët thonë se pa rezultate në këtë fushë, Kosova nuk mund të ecën përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj.
Për të përmbushur këto kushte sistemi i drejtësisë ka krijuar një komision për të gjykuar rastet e shënjestruara që lidhen me korrupsionin, një mekanizëm ky që vëzhgohet nga zyrtarët evropianë. Aktualisht sipas, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë duke u shqyrtuar 45 raste të shënjestruara të veprave të ndryshme penale. Autoritetet e gjyqësorit thonë se është bërë trysni e madhe për të gjykuar më shpejtë këto raste, që lidhen me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Enver Peci thotë se gjyqësori deri më tani i ka përmbushur të gjitha detyrat e tij për rastet e shënjestruara të korrupsionit.
“Por kemi pasur një vërejtje sepse nuk janë caktuar me afate dhe është bërë një trysni që gjyqtarët ta menaxhojnë rastin, do të thotë të caktojnë ma shpejt, më shpesh. Rastet është vështirë të paragjykohen në aspektin procedural se do të mund të përfundohet brenda një muaji sepse gjatë procedurave rrjedhin situate që pengojnë rrjedhën e një rasti. Ne i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar në mënyrë shumë serioze, të gjithë gjyqtarët janë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe kanë agjendat e tyre për secilin rast”,tha zoti Peci.
Por, vëzhguesit shprehin shqetësimin për mënyrën e trajtimit të tyre, posaçërisht të rasteve të zyrtarëve të lartë publik të dyshuar për përfshirje në korrupsion.
“Ajo që na shqetëson shumë është se prej muajit mars e deri në shtator janë përmbyllur shtatë raste prej rasteve të shënjestruara, pesë prej tyre kanë marr aktgjykime liruese dhe kjo është shqetësuese sepse 75 për qind e rasteve të akuzuarit janë liruar. Jemi duke folur për të akuzuar të profilit të lartë, ish sekretar të përhershëm të ministrive, ish shefa të prokurimit nëpër ministri të ndryshme, do të thotë të pandehurit janë shpallur të pafajshëm dhe janë liruar. Kjo ose flet për mos efikasitet të punës së prokurorisë ose flet për ndonjë ndërhyrje të mundshme politike në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e trupit gjykues”,tha Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Aty janë ngritur aktakuza të nivelit të ulët, të pabazuara dhe të pa mbështetura në prova. Rrjedhimisht në këtë mënyrë prokuroria ka lejuar që veprimet korruptive edhe në këto raste të shpëtojnë pa u ndëshkuar dhe së dyti ka vazhduar praktika e zgjatjes së proceseve gjyqësore e cila krijon hapësirë për manipulime të ndryshme. Si rezultat i këtyre të dyjave, ne kemi mosndëshkim të këtyre veprave për të cilat është raportuar vazhdimisht. Shembuj konkret janë edhe rastet e shënjestruara të cilat edhe pse thirren të tilla nuk është që në të vërtetë e shënjestrojnë korrupsionin e niveleve më të larta, të njëjtat tregon për mos efikasitetin që mbretëron në prokurori dhe për jo efikasistetin për luftimin e korrupsionit”,tha Rreze Hoxha nga Grupi për studime juridike dhe politike.
Vëzhguesit e sistemit të drejtësisë thonë se gjykatat në gjashtë muajt e fundit kanë ngritur nivelin e punës për të trajtuar rastet e shënjestruara të korrupsionit për shkak të kritereve që lidheshin me liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, ata shprehin dyshimin se këto raste tashmë do të ngadalësohen pas vendimit që çështja e vizave të mos hyjë në agjendën e Bashkimit Evropian për këtë vit. /VoA
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...