Kosova e mbushur me mjete piroteknike nga Kina

10:18 | 31 Dhjetor 2018
Arbresh.info

31 dhjetori i këtij viti do të shënohet me më shumë krisma se sa vitin e kaluar. Kjo pasi që në Kosovë deri më tani kanë hyrë rreth 110 mijë kilogramë mjete piroteknike, në vlerë prej 111 mijë euro.

Në anën tjetër vendosja e akcizës ndaj këtyre produkteve ka ndikuar që të rritet edhe kontrabanda, ku deri në këtë periudhë janë konfiskuar mbi 10 tonë barut. Kështu të paktën bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shifrën për sasinë e fishekzjarrëve të importuara në Kosovë e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Sipas tij, Kina është vendi i origjinës së mjeteve piroteknike që hyjnë në Kosovë. Duke folur për cilësinë e tyre, Stavileci thotë se baruti që importohet në Kosovë është i kontrolluar.

Shefi i divizionit për armë dhe municion, Destan Mustafa u shpreh se fishekzjarrët që përdoren në Kosovë u takojnë standardeve evropiane, përkatësisht markës CE.

Për deponim dhe mbrojtje të sigurt të mjeteve piroteknike, Ministria e Punëve të Brendshme i ka licencuar katër kompani të cilat edhe bëjnë importimin e tyre.

Mustafa ka theksuar se si pasojë e akcizës prej 2 euro për kilogram, është rritur edhe kontrabanda me këto produkte, transmeton kp.

Sipas tij, deri në këtë periudhë të vitit janë konfiskuar mbi 10 tonë fishekzjarrë, kryesisht në pikën doganore në veri të Kosovës dhe në pikën doganore me Shqipërinë.

Edhe në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ka pasur tentime për kontrabandim, prandaj edhe policia kufitare kanë marrë detyra specifike për fundvit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani po ashtu ka thënë se për festat e fundvitit do të ketë shtim të prezencës policore në lokacione ku do të festohet.

Nga ky institucion i sigurisë bëjnë apel tek prindërit që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse.

Me qëllim të rritjes së sigurisë në qytet, komuna e Rahovecit, Suharekës, Drenasit, Vushtrrisë e kanë ndaluar përdorimin dhe shitjen e mjeteve piroteknike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme