Numri i të punësuarve me kontrata mbi vepër nëpër institucionet e shtetit po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Pa përfillur asnjë procedurë të prokurimit të paraparë me ligj pothuajse në të gjitha institucionet qendrore, lokale, por edhe në ato të pavarura në vend po shtohet numri i punëtorëve në këtë formë. Në raportet e Auditorit shihet qartë se në pjesën dërrmuese të komunave, të ministrive, por edhe nëpër agjenci të pavarura është punësuar një numër i madh i punëtorëve, shkruan tutje “Zëri”.
Në raportin e Auditorit thuhet se Komuna e Malishevës gjatë vitit kishte angazhuar 65 punonjës përmes MSHV-ve, por që në kontrata nuk ishte e specifikuar se në cilën bazë ligjore ishin thirrur gjatë hartimit të kontratave. Prej tyre 53 persona të njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit, pra në njëfarë forme këto kontrata vetëm ishin vazhduar.