Google ADS

Konjufca: Masa për taksën duhet të zgjerohet në reciprocitet të plotë në të gjitha fushat

00:03 | 25 Janar 2019
Trina Galanxhi

“Më mirë diçka se sa hiç asgjë”. Ky është arsyetimi me të cilin Lëvizja Vetëvendosje e përkrah vendimin e Qeverisë për masën për taksë prej 100 për qind.

“Kjo natyrisht nuk është një masë të cilën lëvizja Vetëvendosje e dëshiron dhe kërkon, por është më mirë se asgjë. Po të ishte LVV-ja në pushtet do ta zbatonte një reciprocitet të plotë në të gjitha fushat me Serbinë”, ka thënë Glauk Konjufca, në Interaktiv të KTV-së, teksa ka shtuar se madje kjo nuk është ndonjë “shpikje e ujit të nxehtë”, por është praktikë që e bëjnë të gjitha vendet në botë.

Sipas tij, kjo masë do të duhej të zgjerohet edhe në të gjitha fushat e jetës.

“Ajo që bëjnë qeveritë në botë është që e studiojnë mirë para se ta marrin një vendim, e masin se çfarë efektesh do të ketë, dhe më nuk tërhiqen prej saj. Për sa kohë që Qeveria e ka dhënë premtimin e saj që taksa nuk duhet të hiqet deri në njohjen e Kosovës, minimumi që duhet pritur nga kjo Qeveri është që të mos tërhiqet nga kjo taksë deri në arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Konjufca.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Ekipi të cilin i prinë Limaj e Ahmeti, ia ka rehabilitu legjitimitetin e munguar presidentit Hashim Thaçit.

“Ndaj një projekti që ai e shpiku, e gjithë skena politike doli kundër. Për shkak të kërcënimit apo shantazhit që mund t’ia ketë bërë partnerëve të koalicionit, kur dihet se Thaçi i ka 23 deputetë në koalicionin qeverisës, këta u munduan që ta gjejnë një modalitet”, ka thënë Konjufca, përcjell Koha.net. “Modalitetin që e gjetën ishte se thoshin se do t’ia marrin nga dora Thaçit drejtimin e dialogut, duke ia marrë temën që ai e proklamoi që prej fillimit verës, e që është lëvizja e kufijve”, ka thënë më tej Konjufca.

Ajo që u pa mandej sipas Konjufcës, e sidomos pas letrës së Federica Mogherinit, që drejton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nxorën të vërtetën.

“Ajo që doli nga letra e Mogherinit, është ashtu siç e kemi shpjeguar ne, që dialogu drejtohet nga Mogherni, dhe në letrën e saj e falënderoi Kosovën që e formoi një ekip ndihmues për Hashim Thaçin, e që është ajo që ne në fakt i frikësoheshim”, ka thënë Konjufca. “Aty thuhet se presidentët goxha shumë janë marrë vesh, dhe shumë afër është një marrëveshje. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse i bie që ata janë marrë vesh për temën e shkëmbimit të territoreve. Gjatë muajve, unë jam bindur se mes Thaçit dhe Vuçiqit ka një marrëveshje”, ka thënë më tej ai.

Konjufca është kthyer te fjalimi i Thaçit në Kuvend, e ku thotë se ai i falënderoi deputetët që e ndalën ‘Zajednicën’. Sipas Konjufcës, me këtë “Thaçi e bëri të qartë se është i interesuar për ta vazhduar projektin e tij të rrezikshëm të lëvizjes së kufijve”.

Ai ka thënë se kjo do të ishte fatale për shkak të dallimit të ndikimit të shteteve në territoret e njëra-tjetrës.

“Nëse e analizoni pjesën veriore të Kosovës dhe substancën e kontrollit të Serbisë në Luginë, ngritja e një ideje të tillë është fatale për Kosovën. Sepse ndryshe është po ta zëmë se Kosova do të kishte kontrollin e njëjtë që e ka Serbia në veri. Por kjo s’është as për së afërmi. Nëse futemi në këto principe, atëherë nuk ia doni të mirën Kosovës. Kjo ka ndodhur me Thaçin”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme