Google ADS

Kompromiset, mundësi të vetme për konsensus në dialog

09:12 | 30 Tetor 2018
V. S.

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka polarizuar skajshëm pozicionet e partive politike në Kosovë dhe ajo ende mbetet “mollë sherri” ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, arritja e një konsensusi të spektrit politik lidhur me këtë temë është mjaft e vështirë, ndonëse jo e pamundur. Përderisa ditëve të fundit, liderët institucional dhe të partive politike, kryesisht të atyre në pushtet, kanë bërë thirrje për arritjen e një uniteti lidhur me qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë ka vendosur që të mërkurën, më 31 tetor, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, me kërkesën e partive opozitare.

Temë e debatit të kësaj seance, siç është thënë, do të jetë “angazhimi i presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që, për të ndryshuar situatën në të cilën partitë politike janë pozicionuar skajshëm, është i domosdoshëm vullneti politik dhe veprimet konkrete, të cilat kanë munguar deri më tash. Ai thekson që lidhur me dialogun kanë qenë dy tema për të cilat është diskutuar, përfaqësimi apo kush do ta udhëheqë dialogun dhe “vijat e kuqe” apo çështja e moscenimit të territorit.

“Nëse do të shkohet me idenë që nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim të territoreve, besoj që në këtë pikë do të mund të merreshin vesh pak më lehtë. Mirëpo, kur vjen puna te përfaqësimi, ekziston ajo ‘molla e sherrit’ që quhet president i Republikës së Kosovës, sepse Partia Demokratike e Kosovës është në përkrahje të asaj që presidenti të udhëheqë me dialogun. AAK-ja dhe Nisma nuk është se kanë ndonjë pozicionim shumë të prerë, sepse varësisht se si po zhvillohen ngjarjet politike, janë për ose kundër”.

“Ka pasur lëvizje të vazhdueshme në këtë pozicionim. Ndërkaq, e dimë qëndrimin e subjekteve opozitare, të cilat janë duke kundërshtuar fuqishëm dhe konsensusi është pak sa më i vështirë të arrihet për çështjen e përfaqësimit”, theksoi Murati.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron që partitë politike kanë nivel të ulët të vetëdijes politike dhe arritja e një konsensusi për dialogun, sipas tij, tashmë duket si një luks. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë dy mënyra që ky konsensus të bëhet i mundshëm.

“Nuk besoj që do të jetë i mundur bashkëpunimi i opozitës, sepse hendeku është shumë i madh. Pa një kompromis të madh nga presidenti Thaçi dhe pa një presion ndërkombëtar nga SHBA dhe BE-ja, nuk është mundur që opozita të shfaqë gatishmëri për të bashkëpunuar në fazën finale të dialogut. Në fakt, opozita nuk ka asnjë plan (për dialogun). Plani i vetëm i opozitës është që të kundërshtimi ndaj presidentit Thaçi, mirëpo presidentit Thaçi i duhet më shumë opozita se sa që opozitës i duhet presidenti Thaçi”, tha Muhaxhiri.

Ndërkaq, analisti Murati vlerëson se secila luftë e brendshme politike në Kosovë, ndërmjet subjekteve politike, do ta dobësojë pozicionin e vendit në negociatat në Bruksel. Për më shumë, sipas tij, edhe ndonjë marrëveshje eventuale, do të mbetej sfidë.

“Sfida është në atë që si do të aprovohet ajo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, pasi që e dimë që duhet të ratifikohet ajo marrëveshje ndërkombëtare dhe nevojiten dy të tretat e votave për diçka të tillë. Ne e kemi parë nga e kaluara se çka ka ndodhur dhe sa janë shtyrë proceset, atëherë kur nuk ka pasur bashkëpunim të mirëfilltë që nga fillimi ndërmjet subjekteve parlamentare. Nuk do të dëshironim të shinim skena të tilla të përplasjeve të mëdha brenda dhe jashtë Kuvendit, për sa i përket një çështjeje të politikës së jashtme, e sidomos kur është fjala për një marrëveshje finale me Serbinë, e cila është me rëndësi shumë të madhe për shtetësinë e Kosovës”, u shpreh Murati.

Duke rikujtuar situatat e negociatave të mëhershme të Kosovës me Serbinë, në Rambuje dhe më pas në Vjenë, Muhaxhiri vlerëson që Kosova do të jetë në një pozicion mjaft të keq në kuadër të dialogut të Brukselit, në rast se nuk arrihet një konsensus i spektrit politik në vend.

“Nëse, tani, në këtë periudhë, kur mund të bëhet shumë më lehtë politikë dhe mund të arrihen marrëveshje partiake, Kosova të mos të ketë një unitet dhe të shkojë e përçarë në fazën finale me Serbinë, do të jetë politikisht e tmerrshme”, theksoi Muhaxhiri.

Sidoqoftë, përderisa partitë politike në vend mbeten të polarizuara lidhur me dialogun, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje atyre për unitet në Kuvendin e Kosovës, veçanërisht në lidhje me platformën për bisedimet me Serbinë./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme