Google ADS

Kompania e Devollit Comodita largon 100 punëtorë nga puna

17:23 | 11 Tetor 2018
A Z

Kompani në pronësi të Devollëve, “Comodita Home”, ka larguar nga puna rreth 100 punëtorë, shumica e të cilëve kishin kontrata pune edhe për tre muaj. Të larguarit nuk ishin të njoftuar paraprakisht për këtë shkëputje të kontratës. Nga kompania nuk kanë folur për Express rreth kësaj çështjeje.
Si çdo ditë tjetër qindra punëtorë të kompanisë për prodhimin dhe shitjen e orendive shtëpiake ‘Comodita Home’ e cila është në pronësi të Devollëve u nisën për në punë. Por të martën afro 100 punonjës së kësaj kompanie u njoftuan nga stafi menaxherial se u është ndërprerë kontrata e punës pa asnjë paralajmërim.

Disa prej punëtorëve të larguar, kanë treguar për Express se deri në janar të vitit të ardhshëm kanë pasur kontrata pune me këtë kompani.

“Na kanë largu nga puna pa asnjë paralajmërim. Unë hala s’i ka një vit që kam fillu punën aty. Edhe kam pas kontratë edhe për 1 muaj. Po, veç kur më thirrën e më thanë që më është ndërpre kontrata. Arsyen nuk e di as unë e as 90 punëtorët e tjerë”, ka treguar njëri nga punëtorët e shkarkuar nga puna në kushte anonimiteti për Gazetën Express.

Ai ka thënë se nga këto largime në këtë kompani punëtorët aktual punojnë vetëm për një ndërrim, prej orës 08 të mëngjesit e deri në orën 17:00 pasdite.

Këta punëtorë të larguar nga puna nga ana e Devollëve, thonë se arsyeja që punëdhënësi u ka kumtuar atyre largimin, ka qenë shkurtimi i ndërrimeve. Kjo kompani, sipas punëtorëve të larguar, ka vendosur që të punoj vetëm me një ndërrim për shkak të rënies së shitjeve.

E Gazeta Express, ka tentuar që të marrë një përgjigje përmes telefonit me zyrtarë të Comodita’së, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm