Temës së shumëdiskutuar për importin e veturave të vjetër në Kosovë, i janë bashkuar me debat edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Anëtari i këtij Komisioni, Naser Osmani (LDK), u shpreh kundër plotësim ndryshimit të Ligjit për Automjete, që parasheh lejimin e importit të veturave më të vjetra se 15 vjet.
“Kjo është e dëmshme, pasi në Kosovë qarkullojnë automjete të vjetra. Kjo verë ka qenë e përgjakur, për shkak të aksidenteve dhe njëra arsye është edhe për shkak të automjeteve që nuk janë në gjendje të rregullt. Kjo është bërë jo për interes të njerëzve, por për interesa të tjera”, tha ai.
Ndërsa, Dardan Molliqaj nga PSD tha se shpreh shqetësimin e njëjtë për importin e veturave tejet të vjetra.
“Po bëj thirrje të krijohet kjo temë në publik dhe të rritet presioni të mos kalojë as këtu as në Kuvend. Nuk është i drejtë dhe as i duhur”, tha ai duke shtuar se nga veturat e vjetra ndotet ambienti si dhe cenohet siguria në trafik.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet e Financa. Foto: Kallxo.com
Ndërkaq, anëtari Mërgim Lushtaku nga PDK tha se iniciativa e marrë nga ai ka për qëllim t’u dalë në ndihmë qytetarëve të cilët, sipas tij, nuk kanë mundësi financiare të blejnë vetura të reja.
“Aksidentet ndodhin për shkak të mos respektimit të rregullave të komunikacionit, s’ka të bëje me vjetërsinë e veturave. Ligji është në favor të qytetarëve”, tha ai.
Në rrjedhë të debatit, Komisioni i kaloi dy propozime, me kërkesë të kryetarit Lumir Abdixhiku.
Propozimi i parë është që Projektligji nuk ka implikime buxhetore dhe i dyti që Komisioni nuk e përkrahë amandamentin 1 ku është përcaktuar vjetërsia e automjeteve deri në 15 vjet.
Një vendim i tillë u kundërshtua nga nënkryetarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj (PDK) e cila kritikoi Abdixhikun për hedhjen në votim të propozimeve.
“Po bën shkelje të punës tënde, mënyra qysh e ke hedhur në votim nuk është në rregull. Nuk kemi detyrë të votojmë amandamente”, tha ajo.
Pas kësaj pike të votimi, kryetari i Komisionit lëshoi mbledhjen, e cila më pas u udhëhoq nga nënkryetarja Hadërgjonaj./Kallxo.com/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale