Iniciativa e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, për të themeluar një komision i cili do të hetonte listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shihet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se iniciativa e Veselit nuk është asgjë më shumë se vetëm edhe një ndërhyrje tjetër nga politika në sistemin e gjyqësorit.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi ka kritikuar qasjen dhe praktikën e instaluar nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv në ndërhyrjet politike në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokuro rial. Iniciativa e kryeparlamentarit Veseli për të formuar një Komision Hetimorë Parlamentar që do t’i hetojë dyshimet në listat e veteranëve, nuk paraqet asgjë tjetër përpos se një ndërhyrje të re në këtë rast. Në rastin e veteranëve bëhet fjalë për dyshime se janë kryer një numër i caktuar i veprave penale”.
Miftaraj tregon se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, hetimet për raste të dyshimta i bënë vetëm Prokuroria e Shtetit.
“Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi, hetimet i bënë Prokurori i Shtetit, dhe mbi aktin e tyre akuzues vendos Gjykata Kompetente. Pikërisht për rastin e veteranëve, aktakuza është duke u shqyrtuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Çdo iniciativë tjetër paralele përballë këtij sistemi është e papranueshme dhe paraqet ndërhyrje të politikës ndaj gjyqësorit. Më e mira çfarë mund të bëjnë institucionet politike në këtë rast është që të mos ndërhyjnë në këtë proces, dhe i njëjti të zhvillohet duke u bazuar vetëm në legjislacionin në fuqi”, është shprehur Miftaraj për arbresh.info.
Sipas profesorit universitar, Riza Smaka, Kuvendi mund të bëjë një komision i cili do të gjurmonte për çështjet e dyshimta dhe të diskutoj për to por asgjë më shumë.
Ai mandej thotë se në momentin kur Prokuroria është e korruptuar nuk mund të pritet që e njëjta të merret më rastin e veteranëve.
Ndërsa shqetësim për profesorin Smaka është edhe mungesa e çuarjes deri në fund të lëndëve.
“Kryetari i Kuvendit dhe Parlamenti, edhe në qoftë jo eksplicite, në mënyra implicite, është institucioni më i lart i vendit, nuk mund të thuhet se s’ka autorizime për ta formuar një komision. Këtë gjë ishte dashur ta bënte Qeveria. Ndërsa prokuroria do të duhej të hapte procedura penale ndaj të dyshuarve që kanë bërë spekulime. Ma mirë është të formohen komisionet dhe të gjurmohet kjo gjë pasi që prokuroria nuk reagon fare për këto çështje sepse janë të korruptuar edhe me nis procedurën ata se përfundojnë asnjëherë pasi që humbin lëndët, vendi ynë gjendet në një situatë të mjerueshme. Jam i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë. Kuvendi nuk i ndërhyn në punë prokurorisë për këtë çështje, pasi që mund të formoj ‘ad-hoc’ komisione për raste të tjera”, deklaron Smaka për arbresh.info.
Sipas analistit, Fatmir Sheholli, prokurorinë dhe gjyqësorin nuk mund ta zëvendësojë askush.
“Konsideroj që çdo iniciativë legale që determinon të vërtetën për keqpërdorimet me listat e veteranëve të luftës, është ndihmës për procesin e prokurorisë. Natyrisht që prokurorin dhe procesin gjyqësor nuk mund askush ta zëvendësojë”, është shprehur Sheholli për arbresh.info.
Lidhur me këtë iniciativë, ish-kryetari i Komisionit për Verifikim të Veteranëve, Agim Çeku, thotë për arbresh.info se e përkrahë vendimin e kryeparlamentarit Veseli, duke i uruar edhe sukses.
“E përkrahi çdo ide rreth listave të veteraneve dhe dëshiroj që të ketë sukses”, deklaroi Çeku, i cili aktualisht është në një proces gjyqësor në lidhje me “fryrjen” e listave të veteranëve.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj, njëherit edhe ish-anëtar i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve, thotë se nëse e ka përkrahjen e shumicës në Kuvend edhe mund të ndodhë.
“Krejt janë në prokurori dhe se di se a vlerësohet kjo ndërhyrje në drejtësi. Dhe se për këtë janë ngritur me dhjetëra aktakuza nëpër gjykata të Kosovës, nëpër rajone të ndryshme”, deklaroi Demaliaj për arbresh.info, edhe ky i akuzuar në lidhje me “fryrjen” e listave të veteranëve.
Për nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, tashmë hetimet kanë filluar dhe se nuk e kupton se çfarë kyreparlamentari, Kadri Veseli ka kërkuar në lidhje me komisionin hetimor për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Haradinaj, më kompetente është prokuroria se një komision.
“Prokuroria veç ka filluar hetimin. Ne jemi për verifikimin e veteranëve. Por, hetimet veç sa kanë filluar njerëzit janë duke u marr në pyetje. Dhe më kompetent është prokuroria se sa komisioni, ata që kanë mashtruar duhet ta marrin edhe veprën e dënimit për mashtrim. Nuk po e kuptoj komplet se çfarë Kryeparlamentari ka kërkuar me ketë, derisa ne e dimë që një hetim zyrtar me prokurori, me gjykatës ka filluar”, është shprehur Haradinaj për arbresh.info.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, paralajmëroi se së shpejti PDK-ja do të iniciojë komision hetimor parlamentar, i cili do të hetojë e pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së, në mënyrë që të ndalet fryrja e listave nga komandantë, e veteranë mashtrues. /V.Selimi/Arbresh.info/
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...