Google ADS

Komisioni hetimor s’ka kujt t’ia paraqes raportin për dëbimin e shtetasve turq

15:29 | 19 Shkurt 2019
V. S.

Komisionit Hetimor Parlamentar i formuar për të hetuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, i ka skaduar mandati pa arritur të paraqes para Kuvendit raportin përfundimtar.

Për këtë arsye, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dhe nënkryetari Driton Selmanaj, javën e kaluar kanë ushtruar padi ndaj kryesisë së Kuvendit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për siç thuhet se “ky organ nuk ka lejuar Komisionin që ta përmbushë mandatin e saj ligjor, duke mos lejuar që Komisionit t’i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj”.

Ky komision është funksionalizuar në muajin korrik të vitit 2018, ndërkaq në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga kryesia e Kuvendit zgjatjen edhe për një muaj të mandatit në mënyrë që të arrijë të përfundojë punën për të cilën ishte formuar.

Komisioni ka për qëllim të hetojë rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të vitit të kaluar.

Me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dyshon se mungesa e një vendimi për t’i vazhduar mandatin këtij komisioni është bërë qëllimisht, pasi siç thotë ai, gjatë hetimeve janë identifikuar shkelje nga zyrtarë në pushtet.

“Nuk është në dorën e tyre që të shkelin ligje apo rregulla të Kosovës. Në qoftë se ne lejojmë këtë, atëherë ne i nënshtrohemi një diktati paprecedent. Edhe vet ngjarja ishte paprecedent. Edhe kjo tentativë për të mbuluar atë më të vërtet është e rrezikshme dhe ne nuk do të dorëzohemi para kësaj tentative”, tha Sveçla.

Sipas tij, Komisioni ka kërkuar afat shtesë edhe një muaj në mënyrë që të miratohet raporti dhe më pas të thirret një seancë e jashtëzakonshme, që të diskutohen të gjeturat nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e këtij Komisioni kërkojnë nga gjykata që ta obligojë kryesinë e Kuvendit që ta zbatojë Ligjin, që nënkupton të lejojë vazhdimin e mandatit të Komisionit për ndriçimin e çështjes së dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Ne e kemi parë si shkelje dhe kemi ngritur padi, bazuar në faktet që i kemi prezantuar Gjykatës. Tash presim që Gjykata të marrë vendimin meritor që Komisioni të vazhdojë me punën e tij deri në përfundimin e raportit”, tha deputeti Sveçla.

Në anën tjetër, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pohojnë se është e drejtë e Komisionit që të padis, por që sipas tyre, duhet të zbatohet baza ligjore.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se anëtaret e këtij Komisioni është dashur të raportojnë edhe në kryesi të Kuvendit.

“Është dashur një anëtar i tyre të vijë në kryesi dhe të raportojë se çfarë kanë bërë deri tash, sepse ata kanë të drejtë të marrin pjesë në një pikë të rendit të ditës kur diskutohet për ta, dhe të arsyetojnë kërkesën”, tha Haliti.

 

Në anën tjetër, sipas Ligjit për Hetim Parlamentar thuhet se “çështja e cila është përcaktuar për hetim parlamentar me vendim nga Kuvendi mund të ndryshohet ose zgjerohet me vendim të Kuvendit më vonë, nëse propozuesi për inicimin e Komisionit është pajtuar me ndryshimin”.

Edhe pse raporti nuk ka kaluar në Kuvend, në fillim të këtij muaji, Komisioni ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit raportin me të gjeturat e këtij Komisioni.

Në bazë të këtij raporti, janë identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, janë bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Më 29 mars të vitit 2018, deportimi i shtetasve turq ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme