Google ADS

KMDLNj e quan të pamoralshëm ultimatumin e Mogherinit

12:36 | 22 Nëntor 2018
arbresh.info

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Në raportet midis dy shteteve, vendosja e kësaj mase sipas tyre nuk është e arsyeshme kur ato raporte janë normale apo në përputhje me dokumentet ndërkombëtare e që respektohen nga të dyja palët.

Në rastin konkret, KMDLNj vlerëson se kjo masë është e nevojshme dhe e domosdoshme e cila e mbron prodhuesin vendorë, e mbron cilësinë e prodhimit, e lufton kontrabandën dhe evazionin fiskal sikur që e mbron qytetarin dhe shtetin dhe në anën tjetër e sfidon diskriminim e hapur dhe zbatimin e standardeve të dyfishta që BE ua bënë Kosovës.

“Ultimatumi jo normal i Frederica Mogherinit, si promotore e ndërhyrjes së Serbisë në punët ekskluzivisht të brendshme të Kosovës është veprim i pamoralshëm, nga pozita e të fortit dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, si vlera themelore të demokracisë e të cilat në përfundim të mandatit të saj i shkel brutalisht,” thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Sipas tyre, institucionet e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohen këtij ultimatumi.

“Institucionet e Kosovës duhet t’i pezullojnë bisedimet në afat të pacaktuar derisa Kosova të trajtohet nga BE në bazë të atyre standardeve me të cilat po trajtohet Serbia dhe vendet e rajonit. Kosova , nga BE dhe disa burokratë të saj nuk po trajtohet si duhet por po keqtrajtohet në kundërshtim me të drejtat elementare të njeriut,” thuhet më tej në komunikatë.

KMDLN-j vlerëson se qytetarët e Kosovës nuk duhet të blejnë prodhime nga Serbia dhe Bosnja deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga Serbia dhe Bosnja e që kanë qëndrim armiqësorë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme