Google ADS

Kjo është strategjia për mërgimtarët

15:19 | 7 Korrik 2019
arbresh.info

Është shenjë dashurie dhe detyrë inteligjente e këtij vendi që njerëzit që dikur i përzuri, tani të paktën të di t’i kthejë në shtëpi për aq kohë sa këta njerëz do kenë arsye që të vazhdojnë që këtyre rrugëve dhe lagjeve t’ju thonë ende shtëpi.

Sërish stina e verës sjellë në vendin e tyre mijëra mërgimtarë. Por çfarë i sjellë ende në këtë vend, në këtë pjesë të shoqërisë, që ndoshta është edhe pjesa më dramatike e saj? Sipas të gjitha gjasave është vetëm malli që kanë për vendlindjen, sidomos ai për familjarët që i kanë lënë këndej, që i bën ende të vijnë dhe të kalojnë kohën e pushimeve ende nga këto anë!

E përdor ndajfoljen e kohës “ende”, sepse shteti (Maqedonia e Veriut) është krejtësisht indiferent ndaj klimës mikpritëse për mërgimtarët! Askush nuk lodhet të krijojë politika të veçanta mbështetëse për t’i krijuar lehtësi këtyre njerëzve, të cilët lënë kushte shumë më të mira se sa këtu, për të popullarizuar rrugët dhe lagjet e varfra dhe thuajse bosh të Maqedonisë së Veriut!

Abuziv deri në ofendim, pjesa dërrmuese e zanatçinjve të politikës, përfitojnë nga ideja e mallit që këta njerëz kanë për familjarët e tyre, dhe nuk lëvizin as gishtin më të vogël që t’i presin të paktën me një shenjë respekti e mirëseardhjeje! Prej vitesh ky shtet ka burimin më të madh të të ardhurave pikërisht financat që sjellin mërgimtarët këtu, qoftë vetëm për hir të politikave financiare duhej të kishte një STRATEGJI që krijonte kushte më mikpritëse për këta njerëz që janë palca e këtij vendi që udhëhiqet nga problemet dhe jo nga zgjidhjet! Në dy aeroportet e vetëm të Maqedonisë së Veriut, edhe pse dihet se kjo stinë sjellë dhjetëra aeroplanë në ditë mbushur me mërgimtarë, nuk ka asnjë tabelë, shenjë, shërbim të veçantë për këta njerëz!

Asnjë sportel i veçantë për ata mërgimtarë që duan të të kenë shërbime administrative shtetërore! Jo! Të vetmet gjëra që gjejnë ndryshe është vendi dhe diametri i gropës. Kështu gropa që ka qenë para shtëpisë së fqinjit tani mund të jetë mbyllur për shkaqe elektorale, mirëpo një gropë e re i pret një rrugicë më andej e cila nuk ka votuar siç duhet edhe tashmë është prè e hakmarrjes së pushtetit!

Ndërkohë materiali që përdoret për të shtruar rrugët ose mbyllur gropat kryesisht zgjat aq sa është një mandat, Zoti të më falë që dyshoj fort ashtu si edhe populli se kjo bëhet nga që politikanë të caktuar grabisin nga fondet e përcaktuara për rregullimin e rrugëve, por le të përkulemi ndaj pafajësisë dhe le të themi që nuk e dimë me prova, ndaj të heshtim, por nuk heshtin gropat! Jo! Sapo vjen koha e zgjedhjeve por edhe më herët disa vrima nga një pëllëmbë shndërrohen në puse me diametër kërcënues që të marrin në qafë! Vazhdojmë me politikën mosmirënjohëse dhe aspak inteligjente që ka shteti ndaj mërgimtarëve. Të gjithë këta njerëz me mund edhe me sakrificë punojnë në shtete të botës dhe shumë prej tyre janë mjaft të suksesshëm në shoqëritë ku jetojnë. Financat e tyre janë shumë herë më të larta krahasuar me ato të tonat, një sanitar part time (që punon me kohë të pjesshme, orar të shkurtuar në pak orë në ditë ose pak ditë në javë) paguhet në Perëndim më shumë se një arsimtar në Maqedoninë e Veriut!

Mos bëjmë krahasim profesion me profesion sepse ashtu duhet seriozisht që organizata si UNICEF të na hedhin qumësht pluhur dhe pelena për foshnjat nga qielli, sepse pa frikë mund të na klasifikojnë në vendet e botës së tretë! Pra, këta mërgimtarë, të ardhurat e të cilëve janë të konsiderueshme për nivelin tonë të jetesës, a ftohen të investojnë në Maqedoninë e Veriut?! A ka politika, strategji, plane konkrete që favorizojnë këta njerëz të cilët ende zgjedhin këtë vend, për t’i krijuar terrenin e investimit?!

Se ata që i sjellin ende këtu, familjarët e tyre, ata po ikin dhe duan të ikin dita-ditës, dhe natyrisht që me të ikur ata nuk do ketë më arsye që t’i sjellë këta njerëz këtyre anëve! Prandaj mendoj dhe besoj që është urgjent fakti I të ulurit në tavolinë politike, dhe të mendohet për të krijuar oferta për mërgimtarët, jo aq shumë për ata se sa për ne! Është shenjë dashurie dhe detyrë inteligjente e këtij vendi që njerëzit që dikur i përzuri, tani të paktën të di t’i kthejë në shtëpi për aq kohë sa këta njerëz do kenë arsye që të vazhdojnë që këtyre rrugëve dhe lagjeve t’ju thonë ende shtëpi. Gjithsesi, për të konkluduar me optimizëm që është i rrallë në politikë, deklaroj me përgjegjësi se Aleanca për Shqiptarët si forca e ardhshme politike që do te vijë në pushtet, ka hartuar një PLAN STRATEGJIK të mirëfilltë për mërgimtarët.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA në Maqedoninë Veriore)

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme