Google ADS

Këto janë koalicionet që u dorëzuan mbrëmë në KQZ

07:25 | 31 Gusht 2019
A. B.

Ka kaluar afati ligjor që partitë politike do duhej t’i paraqisnin aplikacionet e tyre në KQZ, për t’i zyrtarizuar koalicionet parazgjedhore, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në KQZ janë zyrtarizuar katër koalicione parazgjedhore. AAK-PSD, NISMA-AKR, koalicioni Vakat i partive boshnjake si dhe Partia Demokratike Progresiste dhe Partia e Re e Kosovës.

Ndërkaq, përkundër tentimeve mes dy partive të mëdha LDK-LVV, për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, kjo gjë nuk ndodhi.

PDK ishte deklaruar më herët rreth koalicioneve parazgjedhore, duke theksuar se do të shkojnë të vetme në zgjedhje.

Ndërkaq, tri partitë politike PDK, LDK dhe LVV, pasi sot nuk paraqitën koalicione parazgjedhore deri në ora 24:00, nuk janë të obliguara që të aplikojnë për certifikim.

Subjektet politike dhe personat e pavarur, këtë mund ta bëjnë deri më 6 shtator.

KQZ ka caktuar si afat zyrtar të aplikimit për regjistrim të subjekteve politike dhe individëve për zgjedhjet e tetorit, afatin kohor 27 gusht deri më 6 shtator.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës u shpërnda me 22 gusht, pasi Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërkaq presidenti Thaçi caktoi datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me 6 tetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme