Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Selim Selimi, ka folur për të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit, që ndërlidhen me dorëheqjen e Prokurorit Elez Blakaj dhe debatin për Listat e Veteranëve.
Selimi ka thënë se ish-Prokurori Blakaj i është futur politikës dhe nuk është marrë me drejtësi.
“Kohëve të fundit janë përzier termet – procesi i hetimit, procesi i dorëheqjes së ish-Prokurorit, procesi i ndikimit në drejtësi dhe të tjera”.
“Ish-Prokurori Blakaj ka vendosë me u marrë me politikë, nuk ka vendosë me u marrë me drejtësi por politikë. Ish-Prokurori e ka prodhuar një dokument që është dërguar me e-mail dhe ata që janë juristë e dinë mënyrën se si ngritet një aktakuzë, ka procedura se si ngritet një aktakuzë”.
“Ai dokument ka prodhuar efekt politik, nuk ka prodhuar efekt juridik, sepse nuk janë përcjellë procedurat për të prodhuar efekt juridik”.
“Rasti i veteranëve, rasti “Vala”, rasti “Pronto” dhe raste të tjera janë raste të shënjestruara nga Prokuroria dhe institucionet tona. Këto raste nuk kanë ardhur nga askund, është ngritur një dyshim i bazur dhe kanë flluar hetimet. Por tash me prodhur një dokument politik që prodhon efekt politik atëherë do të thotë se një person ka vendosë të merret me politikë, kur merret me politikë, retorika politike është e pranueshme – është legjitime”.
Selimi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Blakaj nuk ka raportuar ankesat dhe shqetësimet e tij në instancat e duhura.
“Ish-Prokurori, sa kam informacione unë, nuk i ka përcjellë kanalet e ankesës – Kryeprokurori i Shtetit, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Prokurorial, takimet e nivelit të lartë që mbahen dhe të gjitha këto janë platformat ku ti shpreh shqetësimet, kërcënimet e të tjera”.
“Ka dhjetëra prokurorë që kanë pasë raste jashtëzakonisht të vështira, disa prej tyre me ngjyrime politike, disa me ngjyrime të ekstremizmit të dhunshëm. Edhe ata kanë pasë kërcënime, shteti ka reaguar, ata prokurorë janë të mbrojtur, Policia i mbron”.
“Shteti duke parë sa e vështirë është puna e tyre, buxheti që është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë është aprovuar në Qeveri – buxhet që është kërkuar për rritjen e pagave të prokurorëve sepse janë shumë specifikë dhe ata na duhen të dinjitetshëm dhe të fuqishëm. Ne kemi reaguar në këto kërkesa”.
Këshilltari i Haradinajt ka thënë se ky i fundit ka qenë shumë bashkëpunues me ish-Prokurorin Elez Blakaj.
“E keni parë, tash edhe korrespodencën që është bërë në atë kohë, vetëm dy javë pasi Haradinaj ka marrë postin e kryeministrit. Ka filluar një para-hetim edhe pa ndonjë urdhëresë të caktuar, ish-Prokurori ka ardhë dhe ka kërkuar që të ketë qasje në Arkivë dhe dokumentacion.
“E keni parë në korrespodencë që ajo qasje i është dhënë e parezervë. Është bërë një kërkesë e ish-Prokurorit Blakaj me gjashtë pika dhe në ato pika ka specifikuar se si duhet të jetë kjo qasje dhe në përgjigjen e kryeministrit Haradinaj shihet se përkrahja ka qenë e parezervë dhe qasja e papenguar”.
Selimi ka komentuar edhe kufizimin prej 30 ditësh që Haradinaj ka bërë në përgjigjen e tij drejtuar Blakajt për një raportim nga ky i fundit, që nga njohësit e fushës u cilësua si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Ky 30 ditëshi është nxjerrë nga konteksti, sepse ajo pjesa e 30 ditëshit është reflektim i pikës 6 të kërkesës së ish-Prokurorit, ku thotë se do të bëhet një raport. Raporti që është kërkuar për 30 ditë është kërkuar për rrjedhën e hetimeve, në aspektin se ish-Prokurori a i ka zhvilluar hetimet si ka kërkuar, i papenguar, i paanshëm, me qasje të plotë – ky ka qenë qëllimi i 30 ditëve”.
Sipas tij, protestat dhe kërkesat për drejtësi më funksionale janë legjitime por diçka tjetër nuk është legjitime.
“Nuk është legjitime të punosh një vit në sundim të ligjit, të marrësh raport pozitiv nga Komisioni Evropian dhe dikush me protagonizëm me lëshu punën dhe nga një distancë e largët gjeografike të vendosë të fillojë me u marrë me politikë dhe me e minu një sistem të tërë”.
“Çdo tendencë e tillë e rrezikon liberalizimin, nuk mundesh me protagonizëm të rrejshëm duke pretenduar se po e rregullon sistemin, në mënyrë jolegjitime duke ikur atje dhe duke filluar akuzat për ndikim në drejtësi”.
“Nuk po them që nuk ka ndikim por ndikimi ka kanale ku adresohet ai ndikim, janë platformat ku adresohet ai ndikim. Shteti ka obligim që të mbrojë Prokurorin”.
Këshilltari i të parit të ekzekutivit ka folur edhe për procesin e Vettingut.
“Çdo rast që lajmërohet në sistemin e drejtësisë merret seriozisht, ua garantoj. Sistemi i Vettingut është evolutiv, shkon paralel me zhvillimin e sistemit të drejtësisë. Momentalisht jemi në një periudhë kur na duhet një forcim i sistemit të drejtësisë – atë forcim jemi duke e bërë me ndërtim të politikave, politikat ku nuk mundesh me ju përzi Prokurorisë dhe Gjykatave në punën e tyre”.
“Në sistemin evolutiv ti ju jep dinjitet dhe kushte, ato kushte kjo Qeveri i ka dhënë duke ju ofruar kushte më të mira, paga më të larta, mbrojtje e të tjera”.
“Sistemi i drejtësisë ballafaqohet me sfida si rastet e grumbulluara, mungesa e kuadrove. Duhet të fillojmë nga baza, t’i sjellim kuadrot, t’i pastrojmë rastet që kanë mbet, dikush me dekada pret për një çështje pronësore, të jetë sistemi efikas dhe këtu rritet kualiteti i sistemit duke i dhënë dinjitet, me ofrim të kushteve”.
“Sistemi i Drejtësisë nuk është një kryeministër, një ministër, një prokuror, është armatë e tërë që duhet të punojnë pa ndonjë efekt ose çështje politike. Çdo protagonizëm politik prej të punësuarve në sistem të drejtësisë e dëmton sistemin e drejtësisë”.
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...
Përplasja e Xuxit me Kevinin shkaktoi momente të tensionuara...
Xuxi pyet Edin: “A i ke ra pishman që ke dal?” –Edi: “Pishma...
Hezbollahu e cilëson si “fitore hyjnore” armëpushimin me Izr...