Google ADS

Kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse barten në vendet e Ballkanit

16:06 | 15 Tetor 2018
Arbresh.info
Njohja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit, me në krye Patriarkun Ekumenik Bartholomew, dhe kundërshtimi i Kishës Ortodokse ruse, se një ndarje e tillë mund të çojë në shkatërrimin e botës ortodokse, ka vënë në fokus dy raste të ngjashme në Ballkan: kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Të dyja këto kisha janë nën Kishën Autoqefale të Serbisë.

Peshkopi i Dibrës dhe Kërçovës, Timotej, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ka thënë gjatë shtatorit se kjo situatë hap rrugën për autoqefalinë e Kishës Ortodokse maqedonase.

“Kjo nënkupton që Kisha Ortodokse e Maqedonisë të jetë e njohur nga pjesa më e madhe e kishave ortodokse si një kishë e barabartë, e cila mund të kryejë shërbesa dhe të komunikojë në mënyrë të barabartë. A pajtohet apo jo Kisha Ortodokse Serbe me këtë, neve kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi këtë nuk e zgjidhim ne, por Patriakana e përgjithshme”, ka thënë peshkopi Timotej.

Nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi ka thënë për agjencinë MIA se “akti historik i Patriakanës së Stambollit nuk mund të mbetet pa u nderuar”.

“Ekziston tendenca që çështjet e Kishës që po e ngarkojnë botën ortodokse, përfshirë edhe çështjen e Kishës Ortodokse maqedonase dhe malazeze, përfundimisht të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme”, ka thënë nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Serbisë e kundërshton vendimin për njohjen e Kishës Ortodokse të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit.

Patriarku Ekumenik Bartholomew e ka dhënë pëlqimin për pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe ky lajm është mirëpritur në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se për këtë vendim kanë “ëndërruar gjatë”, ndërkaq Moska ka thënë se bëhet fjalë për një “katastrofë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme