“Kërcënohet” ministri Tahiri në rast se prap nuk i përgjigjet komisionit

08:14 | 11 Korrik 2019
V. S.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, mund të përballet me mekanizma të tjerë në rast se edhe këtë herë refuzon të përgjigjet para Komisionit për Legjislacion për rastin e raportimin rreth skandalit për rekrutimin e noterëve të rinj.

Kryetarja e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, thotë për arbresh.info se ministrit Tahiri i është dërguar ftesa që jo vetëm deri të premten, por edhe të martën në çdo ditë që ai është i gatshëm mund të raportoj para komisionit.

Në të kundërtën, Haxhiu thotë se do të përdorin të drejtat e tyre të tjera.

 “Ne kemi edhe mekanizma tjerë për atë pasi që ne me zor s’mundemi  me shku me marr në ministri, por do t’i përdorim të drejtat tona”.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Korab Sejdiu, thotë se është obligim kushtetues i Ministrit që të raportojë para komisionit. Madje Sejdiu, shpreson që Ministri mos t’i detyrojë të marrin vendime të tjera.

 “Nëse s’ka përgjigjeje nga ana e Ministrit atëherë ne si komision duhet të vendosim se cili do të jete hapi i radhës, pasi që ai e ka obligim t’i raportojë komisionit. Vendimin do e marrim si komision se si do të veprojmë tutje. Unë du me shpresu që se bën punën sa me marr ndonjë vendim tjetër ne si komision. Shpresoj të vije dhe të raportoj për atë që ka përgjegjësi”.

Kujtojmë se të martën ministri, Abelard Tahiri, ka refuzuar ftesën e komisionit për të raportuar lidhur më përzgjedhjen e noterëve të rijnë.

Në arsyen e tij për këtë refuzim ministri Tahiri ka thënë se nuk dëshiron të politizoj proceset e drejtësisë.

E pikërisht qasja e tij në letër ka ngrit debat të ashpër në mbledhjen e komisionit mes antarëve të pozitës e opozitës.

Në fund komisioni ka vendosur që ministrin Tahiri të ftohet edhe një herë të premten.

Ndonëse Arbresh.info, ka bërë përpjekje të marr një përgjigjeje nga ninistri Tahiri se a do të pranojë për herë të tret këtë ftes nga komisioni, Ministri i Drejtësisë ka qenë i pa qasshëm gjatë të mërkurës./V.Selimi/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme