“Kandidatët e “Srpskas” të mos emërohen kryetar pa e njohur Kosovën shtet”

15:22 | 1 Qershor 2019
A Z

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) po vazhdojnë avazin e vjetër, duke mos pranuar të betohen para flamurit dhe para simboleve të Republikës së Kosovës. Veprimet e tilla të Listës Serbe pritet që ta “bllokojnë” përsëri situatën në veri të vendit.

Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, i pyetur për situatën në veri, për “Zërin” ka thënë se atje kemi një vazhdimësi të sjelljeve të pjesëtarëve të Listës Serbe.

Ai ka vlerësuar se mospranimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e tyre e pengon funksionimin normal në këto komuna.

“Ne jemi të mendimit se sjelljet e kryetarëve të komunave veriore janë një lloj presioni ndaj institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës. Besoj që këtu Ministria e Pushtetit Lokal dhe organet tjera të drejtësisë së Kosovës duhet ta shohin qartë se për çka është fjala dhe unë besoj se këtu do të kemi një vazhdimësi të problemeve me këta kryetarë, sepse ata do të vijnë vazhdimisht në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkohë Sheholli ka potencuar se kryetarët e sapozgjedhur nuk duhet lejuar të emërohen pa i pranuar shtetësinë dhe simbolet e Kosovës.

“Sa i përket se a do të pranojnë që betimin si kryetar të rinj ta bëjnë para flamurit të Kosovës dhe para simboleve të shtetësisë së Kosovës, kjo paraqet një pengesë të jashtëzakonshme, sepse ata nuk i pranojnë as simbolet e shtetit dhe asgjë tjetër. Nëse nuk i njohin simbolet dhe nuk betohen para flamurit të Kosovës, atëherë këta persona nuk emërohen në postin e tyre”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme