Google ADS

Kai Sauer: Kosova mikrokozmos i politikës ndërkombëtare

13:30 | 9 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Të hënën më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit të OKB do të diskutojë për Kosovën.   

Në takim pritet të diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, për zhvillimet në vend nga 16 janari deri më 15 maj. Qëllimi i misionit të OKB në Kosovë, UNMIK, 20 vjet mbas krijimit të tij mbetet siguria, stabiliteti dhe të drejtat e njeriut.

Roli aktual i OKB, me misionin UNMIK në Kosovë është i diskutueshëm. Vetë Kosova dhe vendet perëndimore, mendojnë se ka ardhur koha që UNMIK-ut t’ i jepet fund. Ndërkohë që Serbia dhe vende që e mbështesin thonë se roli i UNMIK në Kosovë vazhdon të jetë i nevojshëm. Në takimin e të hënës nuk mendohet të merren vendime mbi të ardhmen e UNMIK.

Ambasadori i Finlandës në OKB, Kai Sauer mendon se prezenca e OKB në Kosovë nuk është më e nevojshme. “Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik, dhe për këtë ka organizata të tjera të afta për ta shoqëruar atë në këtë rrugë.” Në një intervistë dhënë për Institutin EastWest në New York, mbi rolin që duhet të luajë OKB në të ardhmen, ai thotë se OKB duhet të fokusohet në rajone të tjera dhe jo në Ballkanin Perëndimor.

Sot, 20 vjet pas krijimit të UNMIK-ut, Sauer thotë se “Kosova është një lloj mikrokozmosi i politikës ndërkombëtare dhe zhvillimit të saj”. “Politika ndërkombëtare nuk ka funksionuar që nga fillimi, ka pasur tensione midis Rusisë dhe fuqive perëndimore, gjë që e ka përkeqësuar situatën, duke patur ndikim direkt mbi të. Kjo bëri që kosovarët dhe serbët të avanconin me politikat e tyre dhe palët punuan kundër njëri tjetrit,” kujton ai.

OKB nuk arriti të koordinonte aktorët

Kai Sauer, ka pasur angazhim të gjatë në rajonin e Ballkanit. “Kosova ka qenë një operacion special, një operacion pionier në atë kohë, sepse kombinonte disa organizata ndërkombëtare, OKB, në qendër të saj, Bashkimin Europian që merrej me ekonominë si shtyllë kryesore, OSBE që merrej me demokratizimin dhe NATO, KFOR-i, që merrej me sigurinë”. Ai mendon se koordinimi midis këtyre aktorëve ka qenë shumë i keq, një rrëmujë që filloi më 1999 e zgjati deri më 2003. Dhe OKB nuk arritur të bënte koordinimin e këtyre aktorëve aktiv në Kosovë. “OKB ka në Kosovë përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, të ngarkuar me përcaktimin e të gjithë këtyre funksioneve, por në fakt organizatat qenë të pavarura, puna ka qenë shumë burokratike,” thotë ai.

Megjithatë ai vlerëson se dëshira për të bërë punë të mirë ka qenë shumë e madhe dhe ”shumë gjëra janë arritur, situata u stabilizua, ne ndihmuam Kosovën të ngrihej në këmbët e veta, të paktën deri në gjysmë të rrugës”.

Para se të largohet nga OKB, sepse i përfundon detyra si përfaqësues i përhershëm i Finlandës, Kai Sauer thotë se “Aspirata e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit është të futen me BE dhe BE është partneri më i mirë për të ndihmuar këto vende që të pranohen. Partneriteti kryesor i këtyre vendeve duhet të jetë me Bashkimin Europian. /DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme