Google ADS

Kadaj-Bujupi: Ndërprerjet e rrymës nuk po ndodhin rastësisht në këtë fazë

00:22 | 27 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka folur për reduktimet e energjisë elektrike në të gjitha komunat e vendit.

Kadaj-Bujupi, gjatë një paraqitjeje në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, i ka cilësuar të pavërteta pohimet e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS) se s’ka ndërprerje të rrymës.

“Qytetarët po kërkojnë të ndërmerren masa, po kërkojnë përkrahje nga shteti”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi.

Ajo ka thënë se ndaljet e rrymës në vend po ndodhin “pa asnjë shpjegim”.

Deputetja e AAK’së ka theksuar se reduktimet kanë nisur në të gjitha komunat, në ditën kur Kosova ka rritur në 100 për qind taksën për produktet nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

“Kemi kërkuar shpjegime zyrtare, se çfarë po ndodh”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

“Kemi marrë informatë të saktë se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po prodhon energji si çdo herë”, ka theksuar deputetja.

Madje, ajo ka thënë se KEK’u ka rritur prodhimin e rrymës, pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, “por KEDS’i, si furnizues, është duke e ndërprerë”.

“Këtu ka vend për hetim”, ka vlerësuar Kadaj-Bujupi. Sipas saj, “kjo ndërprerje e rrymës nuk po ndodh rastësisht në këtë fazë”.

E pyetur nëse reduktimet mund të jenë sabotim nga KEDS’i, ajo është përgjigjur: “Dyshojmë se është”. /express/

https://www.facebook.com/Televizioni7/videos/725287417840796/

Të ngjashme