Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së, në emisionin “Interaktiv”, ka thënë partia e saj do të vazhdojë të kundërshtojë idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, por ka shtuar se për bashkimin e Luginës, Kosova duhet të njihet me kufijtë aktualë nga Serbia.
Në emision, Kadaj-Bujupi ka bërë thirrje që pozita dhe opozita të bëhen bashkë për të votuar propozimin e saj që në Bruksel të mos diskutohet shkëmbimi i territoreve dhe kufijtë aktualë.
“Është kërkesë e qytetarëve sepse në kohën e fundit kanë ngritur shqetësime kur ata në vend se të pushojnë në verë ata janë shqetësuar me këtë temë. Konsiderojmë se kufijtë e Kosovës duhet të njihen nga Serbia dhe pastaj eventualisht të kalojmë në fazën e korrigjimit duke iu kthyer Kosovës tokat e humbura shqiptare. Jemi shtet i brishtë dhe kemi mosnjohje nga pesë vende të BE-së”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
“Ka shumë të panjohura [rreth idesë së Thaçit] dhe qëndrimi i Haradinajt duhet të konfirmohet në parlament përmes një qëndrimi parlamentar. Këtu duhet të jemi bashkë pozitë dhe opozitë. Edhe atë ditë propozimet e mia ishin si pjesë e kërkesës së opozitës dhe nuk e di përse nuk ishin në sallë për ta votuar”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
“Krahas një rezolute që prodhon vullnetin e mirë të Kuvendit, ne propozuam të dyja bashkë në pako me ekipin negociator. Po të mos i kishim numrat s’do të mund të qeverisnim. Vetëm atë ditë nuk i kishim numrat”, ka shtuar deputetja e AAK-së.
Ajo ka thënë se bashkimi kombëtar ka qenë një përpjekje e kamotshme e shqiptarëve, por nuk mund të ndodhë në ditët e sotme.
“Bashkimi kombëtar është përpjekje prej rilindësve e tutje. Vazhdon të jetë sot, por nuk mund të ndodhë. Nuk kemi marrë shpjegime se cilët hapa do të ndjek ai, kush po e përkrah këtë marrëveshje. Krejt çka kam dëgjuar deri më tani si politikane është se Kosova është shtet multi-etnik, ne nuk kemi as edhe referendum me të cilin do t’i mbronim kufijtë tonë dhe brenda një jave del dikush dhe thotë se do të ketë korrigjim”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Duke folur për rastin e veteranëve të rrejshëm, Kadaj-Bujupi ka mbrojtur bashkëpartiakët e saj, në veçanti deputetin Shkumbin Demaliaj, i cili e kishte kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj.
“Babai i Shkumbin Demaliaj ka rënë dëshmor, ai vet ka qenë luftëtar dhe del dikush dhe e fut në mesin e veteranëve të rrejshëm dhe mund të ketë reagime të ashpra. I tërë procesi ka shumë mjegull dhe gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit e pafajshëm po fyehen dhe etiketohen. Duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Është e nevojshme që të fillohet me fillim plotësimin e ligjit”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
E pyetur për largimin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kthimin “në shtëpinë e saj” AAK-në, deputetja ka thënë se është larguar nga partia e Albin Kurtit për shkak të gjendjes në të cilën gjendej ajo
“Gjendja në të cilën ka ardhur Vetëvendosje nuk ka qenë Vetëvendosje në të cilën aderova në vitin 2015. Ka ndodhur një ndarje dhe unë jam kthyer në shtëpinë time. Ose të ndërprisja angazhimin politik ose të vazhdoj rrugëtimin me AAK-në. Dy palët, unë dhe kolegët kemi lënë dyer të hapura për bashkëpunim. Ka sfida, në politikë çdo herë ka sfida, por konsideroj se hapësira që më është krijuar më jep mundësi që të vazhdoj të jap kontributin në AAK. Sot jam sekretare organizative dhe është mundësi që ta kompensoj kohën e humbur”, ka thënë veç të tjerash ajo./Koha.net/
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit
Bayern – PSG, publikohen formacionet zyrtare