Koreja Veriore ka vjedhur 2 miliardë dollarë nga sulmet kibernetike për të financuar programin e saj bërthamor, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Në raportin konfidencial që tashmë po qarkullon në media është thënë se Phenjani ka shënjestruar banka dhe shkëmbime me kripto-valuta për të siguruar të holla.
Disa burime kanë konfirmuar për BBC-në, se Kombet e Bashkuara janë duke hetuar 35 sulme kibernetike.
Koreja Veriore ka testuar dy raketa ditën e martë, apo katër në total në më pak se 2 javë.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, lideri verikorean, Kim Jong-un, ka thënë se testimet kanë qenë paralajmërim ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes forcave të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore.
Phenjani i ka përshkruar këto stërvitje si shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në raportin që tashmë po qarkullon, dhe i është dërguar Komitetit të Këshillit të Sigurimit për sanksione të Koresë Veriore, është thënë se Phenjani “ka përdorur hapsirën kibernetike për të nisur sulme të sofistikuara, në mënyrë që të sigurojë fonde nga institucione financiare dhe shkëmbime me kripto-valuta për të siguruar të ardhura”.
Në raport po ashtu përmendet se Koreja Veriore ka shkelur sanksionet e OKB-së, përmes transfereve me anije, si dhe ka siguruar pajisje për armë të shkatërrimit masiv.
Nga viti 2006, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj Koresë Veriore që ndalojnë eksportin e thëngjillit, hekurit, tekstilit dhe ushqimit të detit.
Lideri verikorean, Kim Jong-un është pajtuar në një samit me presidentin amerikan, Donald Trump vitin e kaluar se do të ndalojë testimet bërthamore.
Mirëpo deri më tani është arritur pak përparim pasi edhe samiti i dytë mes këtyre liderëve ka përfunduar pa marrëveshje në Hanoi./REL/
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...