Joseph: Shkëmbimi i territoreve mund të sjellë pasoja serioze në Ballkan

19:55 | 13 Shtator 2018
Arbresh.info

Zgjidhja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë përmes shkëmbimit të territoreve në vija etnike do të kishte pasoja serioze për rajonin, thotë analisti amerikan Edward Joseph.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai theksoi se alternativa më e mirë është trajtimi i të drejtave të pakicës serbe në kuadër të kufijve ekzistues që nuk përfshinë krijimin e një republike serbe të Kosovës të ngjashme me atë në Bosnje. Sipas tij, ndryshimi i qasjes amerikane do të bëjë të mundur për Presidentët Thaçi dhe Vuçiç që të flasin për shkëmbim territoresh në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.
Analisti i çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph paralajmëron se shkëmbimi i territoreve si një metodë e trajtimit të konflikteve në Ballkan do të kishte pasoja serioze për rajonin.

“Janë tre kundërshtime ndaj kësaj ideje. Së pari, arritja dhe zbatimi i një marrëveshjeje të tillë do të ishte tepër e vështirë dhe e ndërlikuar. Duhet ta kemi parasysh edhe ndikimin që një marrëveshje e tillë do të kishte për pakicat që nuk do të përfitonin nga kjo. Së dyti, duhet të shohim ndikimin që kjo do të kishte mbi Bosnjën. Së treti, ndikimi që kjo do të kishte mbi Maqedoninë dhe mbarë rajonin. Unë mendoj se do të ishte shumë e vështirë të kontrolloheshin pasojat e një zgjidhjeje me shkëmbim territoresh”.

Fokusi i zgjidhjes, sipas analistit Edward Joseph, duhet të jetë trajtimi i të drejtave të serbëve në kuadër të kufijve ekzistues të Kosovës e jo zhvendosja e vëmendjes tek ndryshimi i kufijve.

“Alternativa është shumë e qartë. Duhet të arrihet në një mirëkuptim për trajtimin e të drejtave të serbëve. Për shembull, Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni është marrëveshje shumë e mirë. Serbët meritojnë një mbrojtje më të mirë, një pjesë e shqetësimeve të tyre tashmë janë trajtuar nga Plani i Ahtisarit, por mund të ketë mbrojtje të tjera për ta që nuk përfshijnë krijimin e një tjetër Republike Serbe si ajo në Bosnje. Këto alternativa nuk janë eksploruar”.

Por, ka një ndryshim në qasjen amerikane në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve, që u shpreh edhe nga senatori amerikan Ron Johnson, i cili këtë javë vizitoi Prishtinën.

“Mendoj se çdokush në rajon e kupton se sa e vështirë do të jetë dhe shqetësimet që kanë njerëzit për këtë. Por, ne duam të qëndrojmë anash, t’u japim palëve hapësirën që u duhet për të gjetur zgjidhjen e tyre. Kur të vendosin ata, ne do ta shohim atë dhe nëse kemi shqetësime, me siguri do t’i themi ato”.

Analisti Edward Joseph thekson se deklaratat e zyrtarëve amerikanë tregojnë qartë se ka një mbështetje për shkëmbimin e territoreve si një opsion për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Uashingtoni, John Bolton në Ukrainë, një vend që vetë ka qenë objekt i marrjes së territorit me forcë nga rusët, i dha dritën jeshile idesë së shkëmbimit të territoreve. Kjo nuk është thjeshtë një përpjekje për t’i dhënë palëve hapësirë, por një dritë jeshile që Bolton në mënyrë të qartë e dha duke thënë se ne nuk kemi kundërshtime nëse palët duan të shkëmbejnë territore dhe të lejohen palët që vetë ta zgjidhin këtë. Kjo është në kundërshtim me qëndrimin e mëparshëm që ka qenë kundër kësaj ideje, dhe sipas të cilit, Serbia duhet të normalizonte marrëdhëniet me Kosovën përpara se anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pra, qëndrimi i Uashingtoni ka ndryshuar”.

Joseph tha me tej se për këtë arsye Presidentët Thaçi dhe Vuçiç ka të ngjarë të diskutojnë çështjen e shkëmbimit të territoreve në takimin e tyre të ardhshëm. Ai tha se ata tani kanë mbështetje në Bruksel dhe në Uashington për të diskutuar ndryshimin e kufijve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur kundër idesë së ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke thënë se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët e tjera të rajonit.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve./VOA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme