Jo në të gjitha burgjet e Kosovës po ligjërojnë imamët

12:14 | 18 Janar 2019
V. S.

20 imamët e përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), pas verifikimit të tyre nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), kanë nisur vitin e kaluar ligjërimin në burgjet e Kosovës me qëllim të deradikalizimit të të burgosurve.

Ligjërimi i imamëve në burgje nisi pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për “realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur” në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në maj të 2018-tës, shkruan Indeksonline.

Mirëpo, pavarësisht se ishte paraparë që të ligjërohej për të burgosurit e të gjitha burgjeve, një gjë e tillë nuk po ndodh akoma.

Kryeimam i Kosovës (BIK), Sabri Bajgora ka thënë për Indeksonline se ka pesë-gjashtë muaj që kanë filluar ligjërimet nëpër burgje.

Ai ka vlerësuar se deri më tani ligjërimet kanë ecur mirë, ndonëse ato po mbahen vetëm në katër burgje të Kosovës.

“Pas marrëveshjes së nënshkruar në maj të vitit 2018, me Ministrinë e Drejtësisë, neve si BIK, na lejohet të kemi qasje nëpër burgjet e Kosovës, për të ligjëruar. Deri më sot kemi filluar në katër burgje, Dyz, Dubravë, dhe Lipjan për femra dhe për të mitur. Besoj se në këta 3-4 muaj do të startojmë nëpër krejt Kosovën”, ka thënë Bajgora.

Sipas tij, Burgu i ri i Prishtinës ende nuk është hapur, dhe sapo te hapet, do të jenë aty me ligjërim edhe imamët e caktuar.

Kujtojmë se nga imamët e përzgjedhur, në Burgun e Sigurisë së Lartë do të jenë të angazhuar dy imamë, Imri Llugaliu e Mehmet Fazliu, që Qendrën e Paraburgimit dhe Ndalimit në Prishtinë do të jenë të angazhuar imami Remzi Haziri dhe Idriz Xhigoli.

Në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë do të jenë të angazhuar imamët Sadi Hasani dhe Jetish Berisha, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë imamët Muhamet Mavraj dhe Artan Zeka, në Qendrën Korrektuese në Dubravë do të jetë i angazhuar Musli Arifi.

Në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan do të jenë të angazhuar Zaim Baftiu dhe Vehbi Gajtani, në Qendrën Korrektuese në Lipjan imamët Refik Bahtiri, Lumnije Bahtiri dhe Sanije Mehmeti, në Qendrën Edukuese-Korrektuese në Lipjan do të jenë të angazhuar, Skender Mehmeti dhe Burim Arifi, në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan do të jetë imami Iljaz Mustafa, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren do të jenë Faruk Ukallo dhe Edib Abazi dhe në Qendrën Korrektuese në veri të Mitrovicës do të jenë Rexhep Lushta dhe Irfan Krasniqi.

Vlen të përmendet se në qendrat korrektuese të Kosovës tashmë gjendet një numër i qytetarëve të vendit, të cilët po e vuajnë dënimin për pjesëmarrje në luftërat e huaja, në Irak dhe Siri, por edhe për tentimin për të shkuar në luftërat e huaja.

Më herët, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, madje edhe tek ata të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera dhe që nuk ndërlidhen me terrorizmin.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme