Nën masa të rrepta sigurie është mbajtur seanca e gjykimit të Darko Tashiqit, i akuzuar për krime lufte, të kryera sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.
Seanca e sotme në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur në praninë e pjesëtarëve të shumtë të gardianëve të burgut dhe të policëve të Kosovës.
Dëshmi sot kanë dhënë dy dëshmitarë.
Dëshmitari Bajram Zylfiu rrëfeu kujtime të tij nga ngjarjet e luftës, sidomos se si i mbijetoi masakrës, raporton kallxo.com.
“Me datë 26 mars (1999), pasi që na kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, kanë ardhur rreth 20 persona me uniforma edhe të policisë, 3 veta kanë qenë me maska. Ne burrave na kanë futur në një shtëpi, kemi qëndruar në korridor, afërsisht kemi qenë 109 njerëz, me ne kanë qenë fëmijë 13 vjeçarë por edhe njerëz pleq”, tha dëshmitari.
Më pas, sipas rrëfimit të dëshmitarit, ka ardhur një person të cilit i janë drejtuar me nofkën “Gjoko”, ndërsa i njëjti iu është drejtuar me fjalët: “E kryej punën për dy minuta”.
Për këto fjalë dëshmitari tha se “e kuptuam se dojnë me na ba sikurse në Reçak, me na mbytur edhe neve”.
Rrëfimin Bajram Zylfiu e vazhdoi duke dhënë detaje për atë që pasoi.
“Pastaj personi me nofkën ‘Gjoko-Gjoko’ filloi me mitraloz duke na gjuajtur ne që ishim brenda në korridorin e shtëpisë. Njerëzit filluan të binin njëri mbi tjetrin, ndërsa personat tjerë me armë kontrollonin se a ka mbetur gjallë ndonjë, dhe pastaj e vrisnin”, tha dëshmitari.
Më pas, ai tregoi se si i shpëtoi masakrës.
“Unë kam qenë në korridor në rreshtin e tretë. Unë shpëtova se unë mbeta ndër kufoma, i mbuluar nga gjaku i kufomave, dhe më pastaj njëri nga personat e mbijetuar aty ka bërtitur kush është gjallë ngrihuni se shkoi Policia”, tha dëshmitari.
Gjatë kohës sa dëshmitari po rrëfente kujtime nga ngjarja, pjesëtarë të publikut – familjarë që kishin ardhur ta përcjellin seancën nuk i përmbanin lotët.
Bajram Zylfiu tha se kur u çuan doli se 20 persona kishin mbetur gjallë.
“Pasi që na kishin pushkatuar, na kanë hedhur një lëng për djegie dhe i kanë vënë flakën kufomave. Unë kam në pjesën e kokës ende shenja të djegies”, tregoi dëshmitari.
Më tej, dëshmitari rrëfeu se si ishte fshehur për ditë të tëra pas masakrës.
“Bredha maleve tërë natën, ndërsa mëngjesin e datës 27 mars, nuk kisha ku të shkoja më, por e gjeta një përrua, një gropë më të madhe, ku u futa dhe qëndrova aty për 3 net dhe 4 ditë, pa ushqim e pa ujë”, tha ai.
Sipas propozimit të Prokurorisë, si dëshmitar ishte i ftuar edhe Kasum Hajdari për të dhënë deklaratën e tij lidhur me ato se çka dhe si e kishte parë duke vepruar të akuzuarin Darko Tashiq.
Dëshmitari Kasum Hajdari në seancat e kaluara u ishte përgjigjur pyetjeve të prokurores së çështjes, Drita Hajdari, ndërsa në seancën e sotme iu përgjigj pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Darko Tashiq, avokatit Dejan Vasiq.
Mbrojtësi në vazhdimësi dëshmitarin e ballafaqoi me deklarimet e tij të mëparshme të dhëna në vitin 2012 apo edhe në faza tjera të deklarimeve.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Kasum Hajdari nuk pajtohej me disa pyetje të avokatit mbrojtës duke e kundërshtuar në pyetjet që i parashtroheshin me disa çështje që sipas dëshmitarit janë çështje private të tij.
Kasum Hajdari deklaroi se pas përfundimit të luftës, në shtëpinë e të akuzuarit Darko Tashiq ka gjetur veturën “Passat” dhe të gjitha mjetet e punës që i janë plaçkitur.
Ndërsa për të akuzuarin Darko Tashiq dëshmitari deklaroi se e ka parë edhe në një rast tjetër.
“Darko Tashiqin e kam parë bashkë me babanë e tij Sreçko Tashiq dhe dy persona tjerë, kanë qenë me një kamion te lumi Drin, ku kanë tentuar ta drejtojnë kamionin në lum, brenda kamionit kishte kufoma… ndërsa më vonë ka ardhur edhe një kombi nga aty kanë dalë rreth 3-4 policë, ndërsa i njëjti kombi më vonë është gjetur në shtëpinë e të akuzuarit Darko Tashiq”, tha ai.
Pas pyetjeve të trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi si anëtarë, dëshmitari tha se kamioni nuk ka qenë i gjithi i fundosur në lumë, pasi që pjesa e përparme ka qenë brenda ujit, ndërsa pjesa e prapme, pra gjysma tjetër, jashtë ujit.
“Ndërsa unë jam kthyer në fshat rreth 10 ditë pasi që ka hyrë në Prizren KFOR-i gjerman, pra rreth datës 22 qershor”, tha ai, duke shtuar se kur është kthyer në fshattë gjitha shtëpitë e shqiptarëve kanë qenë të djegura dhe të shkatërruara, ndërsa ato të banuara nga serbët – të paprekura.
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, avokati mbrojtës paraqiti kundërshtime dhe konsideronte se dëshmitari ka motiv që të mos e thotë të vërtetën dhe se deklaratat e të njëjtit nuk po përputheshin nga ato që ka deklaruar më parë dhe nga ato se çka po deklaronte në seancë.
Kryetari i trupit gjykues, e udhëzoi avokatin mbrojtës që të vazhdonte me pyetjet, ngase i mbetet trupit gjykues të vlerësojë se a do t’i falte besimin e plotë dëshmisë së dëshmitarit, dhe se trupi gjykues e vlerëson vërtetësinë e deklaratave.
Prokurorja e çështjes në fund të deklarimit të dëshmitarit pati vërejtje ndaj avokatit Dejan Vasiq, dhe mënyrës se si po i parashtronte pyetje dëshmitarit.
Sipas prokurores forma e marrjes në pyetje – me pyetje të drejtpërdrejta nuk është në pajtim me dispozitat ligjore.
Trupi gjykues i përbërë nga kryetar Artan Sejrani dhe Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi anëtarë, në përfundim të orarit të punës në orën 15:50 vendosën që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë nesër, kur do të vazhdojë dëshminë Bajram Zylfiu.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tashiq ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.
Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.
Me këto veprime sipas aktakuzës, Tashiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Tashiqin se ndërmjet datave 26-27 mars 1999, si pjesëtar rezervë i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryes të tjerë të forcave të MPB-së, mori pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë, të një numri të personave të paidentifikuar duke i djegur ata trupa në mënyrë të paligjshme ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre si dhe duke i hedhur në mënyrë të pahijshme në lumin Drin, në një vend që ndodhet jashtë fshatit Krushë e Vogël./kallxo.com/
Ronaldo beson se Reali do ta fitojë Championsin: Kush vë bas...
Jude Bellingham tregoi aftësitë e tij në gjuhën spanjolle në...
Morena Taraku luan në serialin e famshëm turk, këndon shqip
Forcat ukrainase shkatërruan një depo të dronëve rusë
U përplas nga makina, ndërron jetë në spital 65-vjeçari në T...
Rusia pretendon se ka penguar një komplot ukrainas për vrasj...