Sektori i arsimit ndihet i nënçmuar dhe i diskriminuar lidhur me pagat dhe kjo ka bërë që mësimdhënësit nga nesër të hyjnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ata thonë se e kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare për të vazhduar me grevën, si e drejtë legjitime.
Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut në një intervistë për arbresh.info ka thënë se kërkesa që i bëri të shpallin grevën me 14 janar është projektligji për paga i cili është diskriminues dhe nënçmues për sektorin e arsimit.
“Kërkesat tona janë sidomos kjo kërkesa aktuale që na bëri të shpallim grevën e 14 janarit është e aktualizuar moti, sidomos nga maji i viti 2018 kemi pasur vazhdimisht përpjekje dhe takime që çështjen ta zgjedhim përmes dialogut. Është fjala për Projektligjin për pagat, i cili e kemi thënë që në fillim është diskriminues dhe nënçmues për sektorin e arsimit, ngase këtë sektor shumë të rëndësishëm e kalon në pozitë shumë nënçmuese. Po kërkojmë që ta kemi vendin meritor. Kjo gjë përkundër takimeve dhe protestës që e organizuam me 8 shtator të viti 2018, përkundër grevës njëorëshe që organizuam me 28 dhjetor të viti kaluar nuk dha frytet e pritura”, ka thënë Jashari.
Ai ka sqaruar se ekziston vullneti te kryeministri Haradinaj që të përmirësojë kushtet, por që sipas tij nuk mjafton vetëm një individ duhet gjitha institucionet të angazhohen.
“Kishim takime së fundi prapë me kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Bytyqi. Duke dashur të jem i saktë kryeministri edhe në të kaluarën edhe tani ka shprehur vullnetin që gjërat të përmirësohen pasi që edhe ai e ka parë që sistemi arsimor është tepër i degraduar në këtë projektligj, mirëpo nuk mjafton vetëm një individ, duhet tërë institucionet të angazhohen”, është shprehur ai.
Jashari ka thënë se deri te greva ka ardhur duke u bazuar në zërin e mësimdhënësve të Kosovës.
“Në grevën e kemi caktuar duke u bazuar në zërin e mësimdhënësve të Kosovës. Unë jam i sigurt së në grevën e 14 janarit do t’i kemi gjithë institucionet arsimore, çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme por edhe universiteti në grevë. Këtë po e bazoj edhe në takimin që e mbajtëm dje në këshillin drejtues dhe kryetarët e nivele komunale dhe të universiteteve, ata ishin unanim dhe një zëri dhe kategorik që të shkojmë me grevën e 14 janarit”, ka thënë Jashari për arbresh.info.
Sa i përket Këshillit të Prindërve, Jashari ka thënë se ky këshill vazhdimisht del në mbështetje të MASHT-it dhe sipas tij ky këshill nuk ka autoritet që të flasë në emër të prindërve pasi që edhe mësimdhënësit janë prindër.
Por, tutje ai thotë që ky këshill duhet të bëjë presion tek institucionet që të kryejnë obligimet e tyre.
“Këshilli i Prindërve vazhdimisht, ndoshta pse është organ i formuar nga MASHT-i, del në mbështetjet të ideve të MASHT-it. E kuptoj që Ministri shprehet se duhet bërë diçka tjetër e të mos ketë grevë. Ne në protestën e 8 shtatorit kemi bërë apel që prindërit të jenë me ne në protestë, ngase ata thonin mos humbet mësimi, ne e bëmë protestën, por ata nuk ishin me ne. Unë konsideroj se këshilli i prindërve nuk ka autoritet të flasë në emër gjithë prindërve sepse edhe vet mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë në arsim janë prindër. Këshilli i prindërve duhet të bëjë presion në institucionet e Kosovën në mënyrë që ata t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka deklaruar Jashari.
Kryetari i SBASHK-ut ka shtuar se deri tek greva e përgjithshme e mësimdhënësve ka ardhur sepse nuk kanë pasur tjetër zgjidhje pasi që dialogu nuk ka dhënë asnjë rezultat.
“Ne kemi bërë negociata dhe nuk kemi lënë derë pa trokitur, nuk kemi lënë letër pa dërguar madje dhe në institucionet ndërkombëtare dhe ata na mbështesin vazhdimisht se e konsiderojnë se greva jonë është legjitime. Grevat, duhet të kuptojnë institucionet se, janë garantuar si e drejtë elementare dhe janë të garantuara edhe me ligji, dhe në nuk po bëjmë asnjë shkelje ligjore. Duke e parë se dialogu nuk po jep asnjë rezultat ne nuk kemi pasur zgjedhje tjetër veç të shkojmë në grevën e përgjithshme. Nëse institucionet dëshirojnë të mbështesin vullnetin e mirë të kryeministrit dhe ministri Bytyqi, brenda dy orëve çështja do të zgjidhet”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate të arsimit.
Ai nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar se sa mund të zgjasë kjo grevë pasi që sipas tij e gjitha varet nga institucionet jo nga SBASHK-u.
“Organet e SBASHK-ut ishte që ta shpallim grevën sepse këshilli drejtues vendosi sipas zërit të punëtorëve të arsimit ata janë të obliguar ta sjellin këtë zë dhe e sollën dhe votuan unanim për grevën, sa të zgjatë greva nuk varet më prej SBASHK-ut, po nga institucionet”, është shprehur ai.
Ai ka thëna se greva ka mundur të fillojë që vitin e kaluar, por që sipas tij kanë dashur t’i japin hapësirë dialogut, por që kjo është keqkuptuar nga institucionet sepse nuk mund të vazhdohet me dialog pakufi kur nuk ka rezultate të pritshme.
“Po të kishim bërë grevë pa paralajmërime, po të kishim bërë grevë në hapin e parë në maj sepse anëtarësia ka kërkuar që të kemi greva sidomos pasi që qeveria e votoi projektligjin për paga dhe e dërgoi në parlament pastaj ndodhi leximi i parë dhe anëtarësia jonë ka qenë kategorike që edhe vitin e kaluar të kemi grevë, por ne i kemi lutur që t’i japim hapësirë dialogut. Këtë mesazh tonin e kanë keqpërdor institucionet dhe kanë menduar se do të vazhdojmë në pa kufi me dialog, dhe dialogu mbyllet kur shihet që ka kalua kohë e tërë dhe rezultatet nuk ishin ato të pritshmet”, ka përfunduar Jashari.
Projektligji për paga pritet të votohet në fund të janarit, në kohën kur pritet të votohet edhe buxheti i vitit 2019. Sipas ekspertëve, në këtë kohë të polarizimeve mes koalicionit, tashmë edhe për shkak të taksës, ekziston rreziku që të mos sigurohet konsensusi për miratimin e tyre./arbresh.info/
Xheneta, Drilonit: Me qenë ti vëllai im, do më kishte ardhur...
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë