Ismaili: Sërish do të kandidojë për deputet

09:17 | 30 Gusht 2019
A. B.

Ish-deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili ka bërë të ditur se sërish do të kandidojë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Këtë Ismaili e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku edhe ka treguar arsyet se përse do të kandidojë sërish.

Ai madje sqaroi një postim të tij të bërë ditë më parë ku pasi që u tha se Agim Bahtiri do t’i bashkohet Vetëvendosjes, Ismaili kishte shkruar se do të tërhiqet dhe nuk do të kandidojë më për deputetë.

“Ata që s’ma kuptuan sarkazmën para do ditësh, e nime kujtuan se u tërhoqa me i lëshua udhë Agim Bahtirave, nime s’po më njifkan boll. Budallët si unë nuk zbothen pa betejë”, ka shkruar Ismaili.

Më poshtë postimi i plotë i Fisnik Ismailit:

Të dashtun miq e dashamirë,

Duke i pa lëvizjet politike që po ndodhin qe sa vjet, e posaçërisht këto ditë, një gjë është e sigurt: për do pushtet, secili që i merr erë është në gjendje me e shitë böthën. Pa kurrfarë përjashtimi hiç. Po shihet edhe në aderime, edhe në krijime koalicionesh. Pa kurrfarë përjashtimi hiç.

Me e ruejtë integritetin e njerëzëllakun në politikë, kur bashkëpunon ose përballesh me njerëz që shkelin tjerë pa pikë mëshire, është shumë e vështirë, nëse nuk e ke lëkurën nime të trashë, edhe faqen e bardhë.

Që kam lëkurë të trashë, e kam dëshmue kur ka qenë koha para 20 vjetësh në luftë, plot herë si profesionist para se me u marrë me politikë, e pastaj edhe më vonë, kur u bana deputet, e më sulmuen në mënyrën më të ulët një herë kundërshtarët e mi politikë, e pastaj edhe ish-miqtë e mi. Ata që i ndihmova me u rritë për sa vjet, deri iu rrit mendja edhe atyne aq shumë, sa që menduen se munden me më shkelë aq lehtë, duke mos mujtë me u kapë kurrkund, pos në babën tim të ndjerë, që ka bë për këtë vend më shumë se krejt këta njerëz bashkë.

Edhe më shajnë sot veç pse e kam guximin me mendue ndryshe, e integritetin s’e lë asnjeri me ma shkelë.

Që jam me faqe të bardhë, e dëshmoj çdo ditë prejse di për veten, sepse nuk di me rrejtë, as nuk di me vjedhë, e njeriu me dashtë edhe mundet me u mësue, por unë as s’due, as s’due me dashtë. Jam i drejtpërdrejtë edhe, qysh pat thanë Dardani një herë, brutalisht i sinqertë (komplimenti më i mirë ndojherë). E vërteta nime nganjëherë dhemb shumë, e mue shpesh më fajësojnë që shkaktoj dhembje, sepse s’rrej. E më së shpeshi më fajësojnë pikërisht ata që s’e kanë as guximin, as dijen, me e pranue të vërtetën.

Edhe më fajësojnë sot veç pse e kam guximin me mendue ndryshe, e njerëzëllakun s’e lë asnjeri me ma shtypë.

Por, për fat të mirë, ka edhe shumë njerëz në këtë Kosovën tonë të vockël edhe jashtë saj, të cilët më vlerësojnë pikërisht për atë që qëndroj: integritetin e njerëzëllakun që i ruej me krejt shpirtin, për lëkurën e trashë, që ma jepë guximin, faqen e bardhë që më mban të sinqertë e të drejtë në këtë skenë politike kaq të egër e të pa mëshirë, edhe dijen prej shumë viteve përvoje e shkollimi, brenda e jashtë Kosove. Janë pikërisht ata njerëz të mirë që mi besuen dy mandate për njeriun që jam, edhe atë që e përfaqësoj si njeri.

Politika në Kosovë s’e mbaj mend që ka qenë më e egër se këto vjet: Ata që e predikojnë bashkimin, dalin me qenë njerëzit që e bëjnë ndasinë më të madhe mes nesh, e ata që e predikojnë patriotizmin, dalin me qenë njerëzit që e shesin vendin tonë më së lehti. Prandej hala mbetemi një trohë populli pikë e pesë, që e rrejmë veten më së pari, e i rrejmë fëmijët tonë më së shumti.

Këto vjet në politikë kam humbë shumë nerva, miq të dashtun, pare edhe kohë, të cilën sigurt e kisha kalue shumë më mirë duke ba diçka tjetër. Por, pishman s’jam asnjë sekond të vetëm, sepse s’ka çmim që e paguen ndjenjën kur ia përplasë rrencit të vërtetën në fytyrë, në institucionin më të naltë të kësaj republike që po rritet me kaq mund.

E pikërisht për këtë arsye s’e kam ndërmend as me u dorëzue, as me iu përulë askujt, përderisa e di se jam ai zani që gjithmonë ka me e kërkue të vërtetën, para se me e kërkue pushtetin, apo çfarëdo përfitimi tjetër vetjak.

Prandej, qeky FI51 edhe këtë herë ka me u kandidue, me e vazhdue misionin që e ka nisë: me e kërkue edhe thanë veç të vërtetën, i dhimbti disave ajo, apo jo.

Votë s’i kam kërkue askujt as një herë të vetme, sepse ata që e dijnë se e kam guximin edhe dijen me e vazhdue punën time, e dijnë 100% kujt ia japin atë, e unë i di 100% vlerat e tyne që synoj me i përfaqësue edhe këtë herë, si gjithmonë, përplot dashni.

Let the games begin.

P.S. Ata që s’ma kuptuen sarkazmën para do ditësh, e nime kujtuen se u tërhoqa me i lëshue udhë Agim Bahtirave, nime s’po më njifkan boll. Budallët si unë nuk zbothen pa betejë.

P.P.S. Vjet kam premtue se nuk kam me shajtë ma (qaq). E kam mbajtë fjalën, edhe synoj me e mbajtë fjalën, prandej kastravecave që shajnë, deri në fund të fushatës nuj kam me ua mundësue me glacitë palidhje në komente, se masnej s’po muj përmbahna.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme