Gjykimi ndaj sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Milot Vokshi, si dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të MAShT-it, Xhavit Dakaj, ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga ky i fundit.
Dakaj u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij e pastaj të prokurorit special si dhe në fund të trupit gjykues.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Hamdi Podvorica, i akuzuari deklaroi se marrëveshja e mirëkuptimit për shtypjen e broshurave dhe materialeve tjera për shtypje, në mes të MAShT dhe Gjykatës Kushtetuese është nënshkruar më 12 dhjetor 2014.
Para nënshkrimit të kësaj marrëveshje i akuzuari deklaroi se paraprakisht ishte konsultuar me Departamentin e prokurimit publik, zyrën ligjore dhe me KRPP-në, të cilët i kishin sugjeruar se një marrëveshje e tillë nuk është e kundërligjshme.
“Me këtë rast gjatë komunikimeve që i ka bërë drejtori i prokurimit, Xhemail Buzuku me kryetarin e KRPP-së, i njëjti ka thënë se këto nuk janë të kundërligjshme por nuk janë fort të lëvdueshme, dhe unë e kam marrë mendimin e drejtorit të prokurimit, nevojën e MAShT-it dhe në anën tjetër dështimin e procedurave të prokurimit publik, përfundimi i vitit financiar, ditët e fundit të vitit financiar, prandaj kemi ardhur në përfundim dhe e kemi nënshkruar”, tha i akuzuari.
Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i akuzuari deklaroi se arsyeja e anulimit të tenderit paraprak i cili ka qenë për shtypjen e librave, broshurave, posterëve dhe materialeve të tjera për nevojat e MAShT-it, kishte qenë për shkak të ankesës së njw prej operatorëve për mospranim të dosjes së tenderit edhe në gjuhën angleze.
Në lidhje me anulimin e kësaj kontrate bazë e më pas lidhjes së marrëveshjes së mirëkuptimit në mes të MAShT dhe Gjykatës Kushtetuese, anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Hamdi Ibrahimi kërkoi nga i akuzuari që të sqaronte se pse kontrata paraprake nuk rezulton e njëjtë me marrëveshjen e mirëkuptimit pasi që sipas gjyqtarit në rastin e parë me tenderin i cili ishte anuluar titulli i tenderit kishte qenë shtypja e librave, broshurave, posterëve etj. Ndërsa në marrëveshjen e mirëkuptimit e cila kishte rezultuar më pas si shkak i dështimit të tenderit paraprak, nuk përmendet fjala libër, por vetëm thuhet se qëllimi i marrëveshjes është furnizimi, shtypja e broshurave dhe materialeve të tjera për nevojat e MAShT-it.
“Si e shpjegoni ndryshimin në mes të kontratës dhe marrëveshjes për mirëkuptim për dallim nga kontrata bazë”, e pyeti të akuzuarin gjyqtari Ibrahimi.
“Arsyeja është se qëllimi i MAShT-it ka qenë shtypja e librave të shkencëtarëve të rinj, por në tender është vazhduar edhe me posterë dhe materiale të tjera për MAShT-in”, u përgjigj i akuzuari.
Më tej gjyqtari Ibrahimi të akuzuarin e pyeti nëse ai me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje të kishte pasur para vetes ndonjë plan apo listë se për cilat libra, broshura apo materiale të tjera do të shpenzoheshin të hollat.
“A do të thotë kjo se në fakt kemi të bëjmë me një marrëveshje kornizë që do të thotë se është marrëveshje “paushalle” se vetëm kanë me u shtypë do letra, do broshura, a e ke ditë ti se ku po shkojnë këto 120 mijë euro?”, pyeti gjyqtari ish-sekretarin e përgjithshëm të MAShT-it, për çka ai u përgjigj se të hollat kanë qenë të parapara të shpenzohen për shtypjen e librave, broshurave dhe materialeve të tjera për shtypje të pakufizuara për nevojat e MAShT-it.
I pyetur për qëllimin e lidhjes së kësaj marrëveshje mirëkuptimi, Dakaj tha se qëllimi nuk ishte që të ruhej performanca e tij mirëpo qëllimi i marrëveshjes ka qenë realizimi i planit të punës së Ministrisë dhe realizimi i buxhetit të Ministrisë.
“Ne si sekretar jemi kujdesur që paraja të shkojë në vendin e duhur, për projektin e duhur dhe këto mjete nuk janë harxhuar shkel e shko, këto mjete nuk janë harxhuar për ndonjë plan që nuk ka ekzistuar, as nga një nënkod tjetër, por këto mjete janë harxhuar nga Departamenti ku kanë qenë të planifikuara edhe aktivitetet edhe mjetet financiare dhe nuk është as që është tejkaluar ai plan”, tha Dakaj, duke shtuar se shuma prej 120 mijë eurove ka shkuar për botimin e librave shkencor si dhe broshurave.
“Cili libër shkencor ishte kaq emergjent për me i harxhu 120 mijë euro për një jave/ditë, a kishte ndikim përmbyllja e vitit buxhetor?”, e pyeti më pas gjyqtari të akuzuarin.
“Po, kjo kishte ndikim, por në veçanti me më rëndësi ikjes së humbjeve që mund të ndodhin viteve të ardhshme, sepse buxheti vitin tjetër do të kishte 120 mijë euro mangut për herave të tjera me shpallë konkurs, pasi që s’kemi ditë me i harxhu.
Në fund i akuzuari tha se me veprimet e tij nuk i është shkaktuar asnjë dëm buxhetit të Kosovës, përkundrazi ai deklaroi se nëse nuk do të ishte lidhur marrëveshja e mirëkuptimit, dëmi për MAShT-in do të kishte qenë 120 mijë euro .
Kjo lëndë është në mesin e lendeve të shënjëstruara për liberalizim të vizave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.
Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.
Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.
I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.
Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.
Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci./kallxo.com/
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut