Google ADS

Ish ambasadori Hamiti flet për letrën e QUINT-it

19:20 | 13 Gusht 2019
Arbresh.info

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ka reaguar pasi që vendet e QUINT’it kanë kërkuar nga vendi që të vazhdon dialogu Kosovë-Serbi si dhe të hiqet taksa.

Sipas tij, thelbi që ka dalë nga kjo kumtesë e vendeve të QUINT’it, është kërkesa për rinisje të dialogut në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësim të BE-së.

“Në variantin shqip kumtesa e Kuintit u bën thirrje “Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ndërsa në variantin serbisht, kumtesa u bën thirrje “Kosovës e Serbisë që ta rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dialogun nën patronazhin e BE-së”. Siç e dinë përkthyesit mirë, përkthimi është gjithmonë edhe interpretim.

Për publikun shqiptar kjo kumtesë thotë se dialogu duhet të rifillojë ‘menjëherë’, ndërsa për publikun serb se kjo duhet të ndodhë ‘sa më shpejt që të jetë e mundur’”, thotë ai.

https://www.facebook.com/notes/muhamet-hamiti/sa-%C3%ABsht%C3%AB-urgjente-puna-e-rinisjes-s%C3%AB-dialogut-kosov%C3%AB-serbi/10157554708339828/

Hamiti po thotë se dialogu s’mund të fillojë e kjo është e qartë për këdo që ka njohje elementare për zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ka rënë muajin e kaluar, mbas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj. Kuvendi i Kosovës pritet ta shpërbëjë veten më 22 gusht për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit. Qeveria e dorëhequr e Kryeministrit Haradinaj s’mund të rinisë dialogun. Edhe kur ka qenë funksionale kjo Qeveri e kishte lënë këtë punë në dorë të Presidentit Thaçi, për të bërë pastaj në fund një përpjekje që me zgjidhje antikushtetuese të bënte një Ekip Shtetëtor për Dialogun”, shton ai.

Hamiti tutje thekson se nëse zgjedhjet parlamentare mbahen në fund të shtatorit/fillim të tetorit, vendi unë mund të ketë një qeveri të re në nëntor.

“Në nëntor nis punën Përfaqësuesi i ri i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Përfaqësuesja e Lartë në largim, Federica Mogherini, që ka drejtuar dialogun Kosovë – Serbi pa sukses, duke lënë edhe shije të keqe te kosovarët me pranimin e idesë për diskutim të këmbimeve terrritoriale, duhet të jetë përshëndetur nga kjo punë tashmë. Vendet e Kuintit thonë në kumtesën e tyre se ato do të rrisin rolin e tyre në mbështetje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun kur Kosova të shprehë vullnetin për të pezulluar tarifat ndaj mallërave serbe, ndërsa Serbia fushatën e saj për tërheqje të njohjeve të Kosovës”, ka bërë të ditur ish-ambasadori.

“Sado të jetë e ngutshme në idenë e shkruesve të letrës në emër të shteteve të Kuintit, ata e dinë, ndonëse çuditërisht as tërthorazi nuk e thonë, se Kosova nuk ka qeveri që mund të rinisë dialogun me Serbinë. Dikush mund ta interpretojë këtë si ide të qeverive të Kuintit se Kosova mund të bëjë qeveri pa zgjedhje, të zgjedhur e mandatuar nga përbërja aktuale e Kuvendit ende të pashpërndarë të Kosovës.

Kjo në teori do të mund të ndodhte, ndonëse në praktikë s’ka kuptim, pos nëse e gjithë klasa politike e Kosovës, të gjitha partitë, që tashmë kanë dorëzuar 93 nënshkrimet e deputetëve të tyre për shpërbërje të Kuvendit më 22 gusht, do të mblidheshin e të binin në ujdi (për çudi të Zotit!) se Kosova s’ka urgjencë më të madhe sesa dialogun me Serbinë”, ka thënë ai.

Prioritet i Kosovës, shton Hamiti momentalisht është jo vetëm qeveria e re por një qeverisje me mandate popullor.

“Në lidhje me këtë, dhe jo e fundit nga rëndësia, është çështja e dialogut me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet të dyja shteteve, duke siguruar njohje të ndërsejlltë të Kosovës dhe të Serbisë në kufijtë aktualë –‘për t’u dhënë fund përfundimisht konflikteve të viteve ‘90’, siç thotë kumtesa e shteteve të Kuintit – dhe për t’i hapur rrugë integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, ka përfunduar Hamiti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme