Inspektorati gjen 11 shkelje ligjore në rastin e gjinekologut Ahmeti, dënohet me 2 mijë euro gjobë

16:52 | 15 Mars 2019
Arbresh.info

Inspektorati Shëndetësor ka gjetur 11 shkelje në rastin e gjinekologut Fehmi Ahmeti në ordinancën e tij “Kestrina”. Mjeku është gjobitur me dy mijë euro, ndërsa rasti i tij ka shkuar në Këshillin Etik të Odës së Mjekëve
Inspektorati Shëndetësor ka përmbyllur raportin në rastin e ordinancës gjinekologjike “Kestrina”, të gjinekologut Fehmi Ahmeti, i cili kreu abortin e vajzës nga Drenasi e cila dyshohet se ishte dhunuar nga një mësues, nga një polic dhe së fundmi edhe nga një avokat.

Listë të gjatë shkeljesh janë evidentuar nga inspektorët e ISH-së. Kryeinspektorja Dr. Ardita Baraku ka deklaruar për Gazetën Shneta se Ahmeti në cilësinë e themeluesit të institucionit privat shëndetësor “Kestrina”, ka ushtruar veprimtarinë shëndetësore në kundërshtim me nenin 42 të Ligjit për Shëndetësi.

Baraku ka bërë të ditur se “Kestrina” ka pasur licencë valide deri më 16 korrik të vitit të kaluar, ndërsa gjinekologu Ahmeti kishte thënë në deklaratën e tij më datën 7 shkurt 2019, se ordinanca e tij ishte licencuar para një viti.

“Dr. Ahmeti në deklaratën e vet të datës 07.02.19 thekson se ordinanca është licencuar para një viti. Në momentin e inspektimit Subjekti Privat Shëndetësor ‘Kestrina’ në Prishtinë, nuk kishte licence valide për ushtrim të veprimtarisë shëndetësore, ndërsa pala nuk ka qenë në gjendje të na ofrojë dëshmi se ka bërë përpjekje për tu ri-licencuar”, ka deklaruar Baraku.

Tutje ajo tregon se Dr. Fehmi Ahmeti ka ushtruar veprimtarinë shëndetësore në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit për Ndërprerjen e Shtatzënisë 03/L-110 dhe nenit 8 të Udhëzimit Administrativ 09/2011 për “Rrethanat e veçanta dhe indikacionet mjekësore për ndërprerje të shtatzënisë në kushte të sigurta në Republikën e Kosovës”. Ai ka punuar poashtu në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 10 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor 2004/38 meqë nuk ka siguruar pajtimin me shkrim, siç kërkohet “Në rast të intervenimeve invasive është i domosdoshëm pajtimi me shkrim i banorit”.

“Dr. Fehmi Ahmeti ka ushtruar veprimtarinë shëndetësore në kundërshtim me Udhëzimet Administrative (në shëndetësi) 08/2014 dhe 09/2014 duke mos aplikuar për përtëritje të licencës, së institucionit privat shëndetësor në afatin e dhënë kohor. Dr. Fehmi Ahmeti ka ushtruar veprimtarinë shëndetësore në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ (në shëndetësi) 02/2010 Dokumentet Shëndetësore, duke mos regjistruar pacienten dhe duke mos lëshuar raport mjekësor për shërbimin e kryer”, ka deklaruar tutje Baraku, shkruan Gazeta Shneta.

Kryeinspektorja ka shtuar se Dr. Ahmeti ka ushtruar veprimtarinë shëndetësore në kundërshtim edhe me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ 08/2014 në shëndetësi për Procedurat e Licencimit të Institucioneve private shëndetësore “Procedurat për aplikim dhe licencim për veprimtari shtesë është e njëjtë si për veprimtari të rregullt”.

“Në krahasim të çmimores së gjetur në subjektin privat shëndetësor ‘Kestrina’ Prishtinë dhe në listën e shërbimeve të lajmëruara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA) në MSh, në këtë subjekt privat shëndetësor është kryer shërbim jo i paraqitur pranë DLA – vakum aspirimi (kiretazha aspiratave e mitrës, 69.5 me nënkategoritë 69.51-69.59)”.

“Shërbimi i dilatimit dhe kiretazhi i mitrës, 69.0 në Katalogun e Procedurave Mjekësore KNP-9, vol.3, marrë nga DLA-MSh, ka nënkategoritë 69.01, 69.02 dhe 69.09. Në listën e shërbimeve shëndetësore të formularit të aplikimit, nënshkruar nga Dr. Ahmeti, shënon ‘Dilatimi dhe kyretazhi i mitrës 69.0’ dhe ‘dilatimi dhe kiretazhi diagnostik 69.09’, dhe nuk e ka të paraqitur shërbimin 69.02 për dilatim dhe kiretazh në përcjellje të lindjes ose abortit”, ka bërë të ditur Baraku.

Gjinekologu Ahmeti poashtu nuk i ishte përmbajtur Udhëzimit Administrativ 22/2013 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor “Për menaxhimin e mbeturinave medicinale humane dhe veterinare”, neni 7 paragrafi 3-4,sepse mungonin kutitë e sigurisë për menaxhimin e mbeturinave medicinale.

Për të kryer abortin mjeku ishte dashur të kishte edhe kontratë me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), si dhe poashtu stafin dhe mjetet e nevojshme sipas UA 09/2011. Inspektorati e ka gjobitur Ahmetin me 2 mijë euro gjobë, ndërsa rastin e ka dërguar edhe në Odën e Mjekëve.

“Në bazë të kompetencave te lejuara me ligj inspektoriati shëndetësor ka marrë masat ndëshkuese me gjobë ndaj SPSh ‘Kestrina’, si dhe ka iniciuar procedurë në Oden e Mjekëve për të vertetuar nëse ka shkelje etiko-profesionale”, ka deklaruar Baraku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme